Izraeli thotë se në jug të Gazës do të lejohet shpërndarja e ndihmave

Prishtinë | 18 Tet 2023 | 12:11 | Nga Ekonomia Online

Ushtria izraelite tha të mërkurën se ndihma humanitare do të bëhet e qasshme për palestinezët që janë zhvendosur nga veriu në jug të Gazës, por nuk ofroi menjëherë hollësi për atë se si do të futet kjo ndihmë në enklavën e rrethuar.

Izraeli ka qenë duke u bërë thirrje civilëve që të vendosen në jug për sigurinë e tyre, përderisa po i përqendron sulmet ajrore në pjesët veriore e qendrore të Rripit të Gazës si pjesë e kundërsulmit ndaj Hamasit, që mund të eskalojë në pushtim tokësor, raporton agjencia “Reuters”.

Në një udhëzim të ri për evakuim, të publikuar në internet, ushtria izraelite u bëri thirrje banorëve të qytetit Gaza të largohen, duke thënë se ekziston një “zonë humanitare” me ndihma të qasshme në Al-Mawasi, 28 kilometra në jug.

“Al-Mawasi është vendi ku ndihma humanitare ndërkombëtare do të ofrohet siç nevojitet”- thuhet në njoftimin e ushtrisë izraelite.

Kur u pyet nga agjencia “Reuters” nëse po do të lejohej hyrja e ndihmave në Gaza dhe, nëse po, ku dhe kur, një zëdhënës i ushtrisë izraelite nuk pati përgjigje të menjëhershme.

Izraeli ka vendosur rrethim ndaj Gazës pas sulmit të befasishëm të Hamasit më 7 tetor. Disa shtete kanë dërguar ndihma në Egjipt, që gjithashtu kufizohet me Gazën, por nuk është e qartë se kur ato dërgesa mund të arrijnë në enklavën palestineze.

Të ngjashme