Ushtria izraelite (IDF) ka lëshuar një urdhër urgjent evakuimi për qytetin jugor libanez Tyre, duke u kërkuar banorëve të largohen menjëherë nga shtëpitë e tyre.
Urdhri vjen një ditë pasi Irani njoftoi se do të ndalë sulmet ndaj Izraelit, por paralajmëroi një përgjigje “të ashpër” nëse Izraeli vazhdon goditjet në jug të Libanit.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi të hënën se Izraeli për momentin do të ndalë sulmet ndaj Iranit, por paralajmëroi se çdo sulm i ri iranian do të marrë përgjigje të fortë.
“Gabimi i Iranit nëse sulmon sërish do të marrë përgjigje të fuqishme,” tha Netanyahu.
Tensionet u rritën pasi Irani lëshoi raketa drejt Izraelit të dielën, në sulmin e parë që nga armëpushimi i prillit. Izraeli u kundërpërgjigj duke goditur objektiva ushtarake në Iranin perëndimor dhe qendror.
Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë thirrje që Izraeli dhe Irani të ndalin menjëherë “të shtënat”, duke thënë se negociatat për një marrëveshje paqeje janë në zhvillim, por mund të dështojnë për shkak të “paditurisë ose budallallëkut”.
Ndërkohë, IDF u ka bërë thirrje banorëve të Tyres, përfshirë ata në lagjen e krishterë dhe kampet përreth, që të evakuohen drejt veriut të lumit Zahrani.
Zëdhënësi i IDF-së në gjuhën arabe, Avichay Adraee, tha në rrjetin “X” se prania pranë forcave të Hezbollahut rrezikon jetën e civilëve, duke paralajmëruar se çdo ndërtesë e përdorur për qëllime ushtarake mund të bëhet objekt sulmi.
Nga ana tjetër, agjencia shtetërore libaneze e lajmeve raportoi për bombardime artilerie në periferi të Mansouri dhe Majdal Zoun në rajonin e Tyres, por këto nuk janë konfirmuar nga ushtria izraelite.