Ushtria izraelite ka kryer sulme ajrore në Bejrut për të tretën ditë me radhë, duke goditur caqet e kontrolluara nga Hezbollahu, grupi militant dhe partia politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit.
Sulmet izraelite goditën lokacione në periferitë jugore të kryeqytetit libanez mëngjesin e 14 nëntorit, pas bombardimeve të rënda të kryera një natë më parë.
Qiellin e Bejrutit e kanë mbuluar shtëllungat e tymit, teksa sulmet ajrore po vazhdojnë. Ndërkaq, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve në Liban, gjatë natës Izraeli ka sulmuar Bint Jeil në jug të shtetit.
Pesë persona raportohet se janë vrarë gjatë sulmeve izraelite.
Hezbollahu dhe Izraeli kanë këmbyer zjarr në kufi që nga tetori i vitit të kaluar, kur nisi lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Por, situata u përshkallëzua dhe Izraeli nisi një ofensivë të madhe ajrore dhe tokësore ndaj Hezbollahut në fund të shtatorit.
Hezbollahu është grup i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara, ndërkaq Bashkimi Evropian ka futur në listën e zezë krahun ushtarak, por jo edhe grupin politik të grupit. Partia e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.
Autoritetet libaneze ende nuk kanë konfirmuar numrin e viktimave nga sulmet e të enjtes në Bejrut. Por, shifrat e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit thonë se të paktën 3.365 persona janë vrarë dhe 14.344 të tjerë janë plagosur. /REL/