Përfaqësues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe të Institutit “EdGuard” që merret me çështje të arsimit e kanë kritikuar të hënën udhëzimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) mbi parimet e njohjes së platformave dhe revistave ndërkombëtare me recesion, i cili u nënshkrua javën e kaluar nga ministri Shyqiri Bytyqi, shkruan sot Koha Ditore.
Për çështjen e avancimeve akademike e ka hartuar një rregullore edhe Universiteti i Prishtinës, por nuk është miratuar ende pasi ministri Bytyqi i ka kërkuar rektorit të mos miratojnë dokumente që lidhen me avancimet akademike me arsyetimin se për këtë MASHT-i ka qenë duke hartuar udhëzim administrativ.
Prorektori për kërkime shkencore në Universitetin e Prishtinës, Faton Berisha, ka thënë për gazetën se Rregullorja e UP-së për avancime të stafit akademik për publikime në revistat ndërkombëtare në disa pika ka kritere më të avancuara dhe më rigoroze sesa udhëzimi i MASHT-it. Por nuk ka treguar se në cilat pika është më e avancuar.
Ndërkaq, prorektori për mësimdhënie dhe çështje të studentëve, Naser Sahiti, është shprehur se deri tani menaxhmenti i UP-së ka identifikuar disa vërejtje në aspektin teknik.