Partia në qeverisje LSDM premtoi rritje të pagës minimale si dhe asaj mesatare. Kjo parti tha se paga mujore mesatare do të arrijë deri 30 mijë denarë gjatë katër viteve të ardhshme, kurse rritja e pagës minimale u premtua se prej 10 mijë denarë sa është aktualisht do të bëhet 16 mijë denarë.
Se sa mund të realizohet ky premtim duke pasur parasysh borxhet në të cilat Maqedonia është zhytur, të cilat i trashëgoi qeveria e re, njohësit e çështjeve ekonomike thonë për Portalb.mk se megjithatë ky premtim mund të realizohet por për një periudhë më të gjatë. Problem pak më i komplikuar mund të jetë premtimi i rritjes së pagës mesatare, pasi që qeveria nuk vendos për pagat në sektorin privat.
Ish ministri i financave, Xhevdet Hajredini thotë për Portalb.mk se rritja e pagës minimale nuk do të rëndonte shumë buxhetin publik, pasi që sipas tij bëhet fjalë për një rritje të vogël.
“Lidhur me rritjen e pagës minimale, pasi nuk bëhet fjalë për ndonjë rritje të madhe dhe nuk do të ketë ndonjë peshë të madhe për financat publike të buxhetit, ata e premtuan në fushatën parazgjedhore dhe nuk kishte aty tjetër mundësi. Kurse premtimi për rritjen e pagës mesatare mua nuk më duket me vend, pasi që unë kam pas rast kuadros së LSDM-së tua them edhe zyrtarisht se më duket si ekonomi socialiste, sepse në ekonomi të tregut qeveria nuk ka ingerenca për rritjen e rrogave në sektorin privat”.
“Në qoftë se ata thonë që do të punohet në atë drejtim që të nxisin zhvillimin e ekonomisë dhe të bëjnë të rriten rrogat edhe në ekonominë private, është një, por të thuhet se paga mesatare do të bëhet pesëqind euro, ajo nuk varret për rritjen e rrogave nga suksesi i firmave, por edhe nga oferta dhe kërkesa e fuqisë së punës. Në qoftë se ka papunësi atëherë qytetarët janë të gatshëm të punojnë edhe me rroga shumë të vogla dhe nuk duhet të pritet që pronari i firmës të jep rroga më të mëdha sesa ata që i kanë dhënë deri më tani”, tha për Portalb, Hajredini.
Sa i përket rritjes së pagës mesatare, Hajredini shprehet se mund të flitet për rritje ekonomike dhe se një gjë e tillë mund të ndikojë në rritjen e pagës mesatare, por megjithatë për rritjen e pagës në sektorin privat vendos pronari i biznesit dhe jo qeveria.
“Më dukët se nuk është shumë e logjikshme që të premtohet se sa do të rriten rrogat mesatare, ata mund të flasin se sa do të ketë rritje ekonomike dhe se një rritje e tillë duhet të pritet që të rriten edhe rrogat por ndarja e fitimit në rroga dhe profite të kapitalit është i pronarit dhe jo qeverisë”, shtoi Hajredini.
Profesori i ekonomisë pranë UEJL-së, Nasir Selimi thotë për Portalb.mk se kusht i domosdoshëm për këtë rritje të pagës është realizimi i rezultateve pozitive në ekonominë reale.
“Rritja e pagave si ato minimale ashtu edhe e atyre mesatare në vend është e realizueshme edhe pse edhe kjo kërkon kohë më të gjatë. Kusht i domosdoshëm për këtë rritje është realizimi i rezultateve pozitive në ekonominë reale. Këtu para se gjithash mendohet për rritjen e produktivitetit të punës dhe PBB-së së vendit. Qeveria duhet të rritën investimet kapitale, t; realizohen projekte investive në ekonominë reale të paguan obligimet ndaj biznesit vendor, ajo duhet të krijojë kushte të volitshme të tregtisë së lirë dhe konkurrencës, produktet dhe shërbimet tona duhet të depërtojnë në tregjet e reja, të rritet eksporti, të rritet numri i inovacioneve dhe ulet papunësia”, tha për Portalb, Selimi.
Ai shtoi se nëse kjo nuk realizohet atëherë është vështirë që të shpresojmë për një mirëqenie më të lartë dhe standard jetësor më të mirë.
“Pra rritja e performancave të këtyre treguesve makroekonomik do të mundësonte realizimin e këtij premtimi, përndryshe është vështirë që të shpresojmë për një mirëqenie më të lartë dhe standard jetësor më të mirë nëse këto nuk arrihen. Zakonisht gjithkund në botë fillimisht realizohet rritje ekonomike, duke rritur PBB dhe pastaj si rezultat i kësaj vjen edhe shpërblimi, pra rritja e nivelit të pagave”, shtoi Selimi.
Ndryshe, paga mesatare bruto në Maqedoni është 22 672 denarë, që është për 1,4% më e lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Këtë gjë e tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave, për periudhën prill 2016 – prill 2017.