Universiteti i Prishtinës është zotuar se do ta luftojë nepotizmin në përzgjedhjen e stafit akademik të UP-së gjatë përzgjedhjes së stafit akademik, shkruan sot Koha Ditore.
Për ta parandaluar një gjë të tillë Këshilli i Etikës së Universitetit ka nxjerrë një udhëzues për standardet dhe parimet etike të UP-së në lidhje me shmangien e nepotizmit dhe parandalimin e konfliktit të interesit në procedurat e përzgjedhjes së personelit akademik për pozita të reja.
Hartimi i këtij udhëzuesi është bërë pasi muaj më parë Avokati i Popullit kishte nxjerrë opinion në lidhje me parandalimin e nepotizmit në Universitetin e Prishtinës. Po ashtu, edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) i kishin dhënë UP-së rekomandime për ta parandaluar këtë dukuri në Universitetin më të madh publik në Kosovë.