Jabllanoviq: Nuk është momenti i duhur për zgjedhje, duhet një koordinim me Qeverinë e Serbisë

Prishtinë | 14 Nën 2022 | 18:46 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Partisë Serbe të Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq, pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen e partisë së të tij në zgjedhjet që pritet të mbahen më 18 dhjetor.

Ai e ka quajtur situatën në veri të komplikuar, duke shtuar se organizimi i zgjedhjeve në veri duhet të bëhet në koordinim me Qeverinë e Serbisë, raporton Ekonomia Online.

“Ne duhet që të kemi koordinim të qartë dhe të afërt me Qeverinë e Republikës së Serbisë, këto janë zgjedhjet në një moment specifik, i cili mund të jetë shumë i paparashikueshëm”, tha ai, para gazetarëve.

Ai ka theksuar se situata nuk është aq e thjeshtë. “Është situatë e komplikuar”,

“Se a do të marrim pjesë në këto zgjedhje varet nga shumë rrethana, por për ne si serb para se gjithash, varet nga disponimi në komunitetin tonë si dhe nga qëndrimet e Beogradit zyrtar”.

Por, shtoi se tani nuk është “momenti duhur për zgjedhje”.

“Çfarë tani mund t’ju them si një njeri i cili vjen nga veriu i Kosovës është se disponimi i shumicës së qytetarëve të veriut, pra i serbeve, është që nuk duhet që tani të dilet në zgjedhje”.

Ai shtoi se do të ndikojnë shumë faktorë nëse partia tij do të marrë pjesë.

“A do të ndryshojë ndonjë gjë në ndërkohë dhe se në çfarë drejtimi do të shkojë, kjo varet shumë nga disponimi i qytetarëve nga veprimet e Qeverisë në Prishtinë, e sidomos nga veprimet e Qeverisë sonë në Beograd. Ne duhet që të kemi koordinim të qartë dhe të afërt me Qeverinë e Republikës së Serbisë, sepse këto nuk janë zgjedhje e thjesht, këto janë zgjedhjet në një moment specifik, i cili mund të jetë shumë i paparashikueshëm”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me përfaqësuesit e subjekteve politike ka bërë të ditur se kanë vendosur datën e zgjedhjeve për katër komunat në Veri.

Zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçani të cilat janë pa kryetarë qysh nga 5 nëntori pritet të mbahen më 18 dhjetor.

Sipas Ligjit, zgjedhjet shpallen jo më vonë se dhjetë ditë pas shpërbërjes së kuvendeve komunale, ndërsa duhet të mbahen më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërbërjes së tyre.

Më 9 nëntor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), kishte pranuar dorëheqjet e katër zyrtarëve komunale të zgjedhjeve në komunat veriore.

Të ngjashme