Ish-presidentja e Kosovës Atfifete Jahjaga, ka thënë se viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë po stigmatizohen nga shoqëria, raporton Ekonomia Online.
Jahjaga në konferencën “Progresi dhe sfidat e procesit të njohjes së statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, shtoi se edhe më tutje po pengohet rehabilitimi dhe integrimi i të mbijetuarave.
Ajo ka kërkuar që të punohet më shumë me familjet e viktimave, duke kërkuar bashkëpunim e bashkërendim të aktiviteteve të institucioneve përkatëse.
“Kjo temë ka qenë misioni i yni i përbashkët për vite me radhë. Të mbijetuarat ende po përballen me stigma. Shumica prej nesh e dinë që rrugëtimi ynë që nga themelimi i Këshillit kombëtar për viktimat e dhunës gjatë luftës nuk ka qenë i lehtë por i rëndë sidomos për të mbijetuarit. Vendimi për themelimin e komisionit për kërkesat e të mbijetuarit është angazhim dhe punë e palodhshme që të krijohen kushtet dhe të drejtat që ju garantohen me ligj”.
“Edhe më tutje po pengohet rehabilitimi dhe integrimi i të mbijetuarave. Të largohen stigamt dhe paragjykimet ndaj tyre. Të mbijetuarit ende kanë pasiguri në shoqëri për një krim që u krye padrejtësisht në trupin e tyre. Ne duhet të punojmë më shumë me familjet e tyre. Duhet bashkëpunim i ngushtë me akteret e njohës së statusit të tyre. Të informohen sa më saktë për procesin e aplikimit. Të rishikohet afati ekzistues për 5 vitesh për të njohur statusin. Ky afat nuk ndihmon në zbardhjen e plotë të rasteve”.
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, tha se janë duke punuar në përmirësimin e dispozitave për ndjekjen penale të atyre që kanë kryer krime.
Sipas tij, kjo çështje duhet që të diskutohet në dialogun me Serbinë, raporton EO.
“Vazhdojmë të kemi mbi 20 mijë viktima. Ne si ministri kemi ndërmarr një hap të rëndësishme për qasje në drejtësi të viktimave të luftës”.
“Jemi duke përmirësuar dispozita për ndjekjen penale të kriminelëve që kanë kryer krime. T’i japim paravëni ekomomike këtyre viktimave duke u mundësuar punësimi”.
“Çështja e tyre të diskutohet në tavolinën e dialogut. Drejtësia është në anën tonë”.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, tha se kjo është një konferencë me një temë tejet të dhimbshme për Kosovën, pra për historinë më të re të saj dhe në një kohë të veçantë për qytetarët tanë.
“Sot, në kohën kur ne po diskutojmë për trajtimin dhe ndërmarrjen e veprimeve për rehabilitimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, fatkeqësisht shkaktarët e kësaj dhune gjenden ende të lirë dhe të pa dënuar, tani e 20 vite, madje në vend të kërkim faljes ata sot nisur nga mendësia e vjetër e tyre dhe prej se cilës nuk po arrijnë të zhveshën, vazhdojnë me kërcënime nga më të ndryshmet, duke e luftuar çdo ditë politikisht Kosovën”.
Reçica gjithashtu tha se, sjellja e përgjegjësve të kësaj dhune duhet të na shërbej neve dhe drejtësisë ndërkombëtare, se kryesitë e vërtetë të krimeve në Kosovë, dhunuesit që shkaktuan këto plagë të vihen para drejtësisë dhe që sado pak të mbijetuarat e kësaj dhune të kenë satisfaksion.