Naim Jaka nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka deklaruar se procesi i rinumerimit të votave ka kaluar mirë në aspektin teknik, por ka zbuluar probleme serioze që lidhen me integritetin e procesit zgjedhor.
Sipas Jakës, nga ky rinumerim tashmë janë evidentuar qartë parregullsitë, ndërsa problemi më i madh është fakti se është vërtetuar falsifikimi i rezultateve zgjedhore. Ai theksoi se në muajt në vijim pritet të zbardhet se kush qëndron pas këtyre manipulimeve.
“Do të kemi rastin të shohim nëse kanë qenë vetë komisionerët ata që kanë kryer këto veprime, apo nëse kanë qenë të shtyrë nga kandidatët për deputet apo edhe nga parti politike,” u shpreh Jaka.
Ai shtoi se ka pasur disa distancime publike nga subjektet politike, por theksoi se përcaktimi i përgjegjësisë dhe vërtetësisë së plotë do të bëhet nga organet e drejtësisë, konkretisht nga prokuroria dhe gjykatat.
Jaka paralajmëroi se integriteti i deputetëve që pritet të betohen është i cenuar, duke marrë parasysh se në disa raste janë konstatuar dallime të mëdha në vota.
“Në disa raste janë mbi 600 vota, diku tjetër 1 mijë apo edhe 2 mijë vota që janë shtuar dhe tani janë hequr pas rinumerimit,” tha ai. /Gazeta10