Jakupi: Deri në gjashtëmujorin e ardhshëm nuk mund të ketë mungesë të barnave në Kosovë

Prishtinë | 12 Mar 2020 | 18:16 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi, ka thënë se deri në gjashtëmujorin e ardhshëm nuk mund të ketë mungesë të barnave esenciale në barnatoret e Kosovës.

Ai në Express Intervista të KTV-së, ka thënë se mund të ketë mungesë të ndonjë produkti, por jo të të gjithave.

Jakupi tutje ka shtuar se nuk ka nevojë për një furnizim të tillë me barna nga qytetarët, pasi sipas tij, ka stoqe të mjaftueshme nëpër barnatoret e Kosovës.

Ai thotë se nëse vazhdon një fluks i tillë për blerje të produkteve medicionale, atëherë në barnatore mund të ketë mungesë të barnave.

“Në raste të caktuara kërkesat janë të mëdha për dezinfektues, por kur nuk ka të tillë në barnatore, duart mund të pastrohen me ujë dhe sapun”, ka thënë ai.

Jakupi ka thënë se farmacistët mund të ofrojnë lloje të ndryshme të barnave të cilat mund të ndalojnë për shembull temperaturën, por jo antibiotikët të cilët duhet patjetër të jenë me rekomandim nga mjeku.

Ai ka thënë se nuk ka nevojë për antibiotikë, pasi sipas tij, ato përdorën për infeksionet antibakteriale, derisa shton se koronavirusi nuk trajtohet me antibiotikë.

“Pas diagnostikimit nga mjekët se ka ndonjë virus plus dhe ndonjë baktere e caktuar, atëherë mund t’iu jepet antibiotikë. Por jo pacientët të shkojnë vetë të kërkojnë antibiotikë duke e konsideruar barnatoren si lloj marketi. Rezistenca anti-mikrobike është një luftë globale në rritje e cila ekziston edhe te ne, me përdorim të panevojshëm të antibiotikëve. Në situatën e tanishme rekomandimi është i fuqishëm ndaj qytetarëve që të mos marrin antibiotikë dhe produkte të tjera të panevojshme”, ka thënë ai.

Duke folur për rritjen e çmimeve në farmacitë e Kosovës, ai ka thënë se kjo dukuri nuk është e rregullt dhe për këtë nuk duhet të fajësohen barnatoret.

Ai ka thënë se kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së produkteve në tregun global.

Jakupi ka thënë se nuk mund të fajësohen farmacistët sepse çmimet furnizuese nga tregu botëror janë shumë të larta.

Ai tutje ka bërë thirrje që kjo dukuri të mos shfrytëzohet.

“Fillimi është te prodhuesi i cili ngrit çmimin. Në rast se edhe lënda e parë ka mungesë natyrisht që shkon rritja e çmimit në nivel global. Këshilli Etik mund të merret me rastet individuale të cilët ngritin çmimet. Këshilli Etik mund të japë rekomandime ose mund të pezullojë licencën nëse keqpërdorën çmimet. Rreth 75 për qind e produkteve të medicinës vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian. Nga Kina e India vijnë barna, ama është një masë e vogël, dikur 2-3 për qind”, ka thënë ai.

Ai ka përsëritur se lëvizjet e çmimeve vijnë nga lëvizjet e çmimeve në nivel global.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme