“Jam jashtëzakonisht ambicioz, mezi pres të fitoj trofe madhor”, fjalët e para të Mount si lojtar i Man Utd

Prishtinë | 05 Kor 2023 | 16:47 | Nga Ekonomia Online

Mesfushori i ri i Manchester Unitedit, Mason Mount ka folur për herë të parë pasi transferimi i tij në klub u konfirmua këtë të mërkurë.

Mount ka nënshkruar një kontratë afatgjatë në Old Trafford, duke qenë një nga objektivat kryesore të menaxherit Erik ten Hag në fillim të verës.

Ai i bashkohet klubit nga Chelsea për një tarifë prej rreth 64 milionë eurosh, plus gjashtë milionë euro tjera në formë bonuse.

Pas konfirmimit të transferimit, 24-vjeçari ka treguar se ndihet i lumtur dhe shumë ambicioz pas transferimit në Old Trafford.

“Nuk është kurrë e lehtë të largohesh nga klubi ku je rritur, por Manchester United do të ofrojë një sfidë të re emocionuese për fazën tjetër të karrierës sime”, ka thënë fillimisht Mount.

“Pasi kam konkurruar kundër tyre, e di se sa skuadër e fortë është që po bashkohem dhe mezi pres të jem pjesë e përpjekjes së këtij grupi për të fituar trofe të mëdhenj”.

Të ngjashme