Japonia po planifikon t’i derdhë në det një milion tonë ujë radioaktiv

Prishtinë | 24 Dhj 2019 | 15:46 | Nga Ekonomia Online

Një agjenci qeveritare në Japoni ka propozuar që një milion tonë ujë radioaktiv të derdhen në det nga centrali bërthamor në Fukushima.

Para nëntë vjetëve, në këtë central kishte ndodhur një incident. Uji radioaktiv kishte rrjedhur nga centrali pas tërmetit që e kishte goditur këtë zonë.

Prej asaj kohe, një milion tonë ujë radioaktiv  janë mbledhur dhe hapësira për izolimin e kësaj sasie pothuajse është mbushur plotësisht.

Propozimin për derdhjen e këtij uji në det e dha Agjencia për Burime Natyrore dhe Energji. Një zyrtar i kësaj agjencie të martën tha: “Nuk ekziston më mundësia që uji të tubohet për një periudhë të gjatë kohore.”

Agjencia nuk mori ndonjë vendim për këtë çështje në takimin e fundit, por asnjë anëtar nuk doli kundër këtij propozimi.

Uji radioaktiv vjen nga disa burime, përfshirë ujin që përdoret për ftohjen e pjesës së nëndheshme të centralit.

Tash për tash, uji radioaktiv mbahet në një mijë rezervuarë të mëdhenj në Fukushima, shkruan “Daily Mail”, transmeton Express.

Një kompani e ka filluar ndërtimin e rezervuarëve të rinj, por ky proces nuk do të mbarojë deri në vitin 2022.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme