Jashari ia sqaron arsyet e protestës në Drenicë komandantit të KFOR-it

Prishtinë | 11 Sht 2018 | 14:54 | Nga

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ia ka sqaruar arsyet e protestës në Drenicë kundër vizitës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq, komandantit të KFOR-it, gjeneralit Salvatore Cuoci.

Jashari ka thënë se qytetarët e Skenderajt protestuan kundër vizitës së Vuçiqit në Banjë, sepse e kanë konsideruar fyerje vizitën, para një kërkimfalje për atë që ka shkaktuar Serbia në luftën në Kosovë.

Sipas kreut të Skenderajt, ka pas një mungesë të bashkëpunimit dhe koordinimit nga ana e nivelit qendror, i cili nuk e ka njoftuar më kohë për vizitën në fjalë.

Megjithatë, Jashari ka siguruar komandantin e KFOR-it se protesta e së dielës ka qenë kundër vizitës së presidentit të Serbisë në Skenderaj, komunë kjo që ka vuajtur shumë gjatë luftës, dhe në asnjë mënyrë kundër serbëve lokalë.

Edhe komandanti i KFOR-it e ka vlerësuar të qetë protestën e së dielës, dhe pa ndonjë problem.

Gjatë vizitës është diskutuar edhe aspekti i sigurisë në komunën e Skenderajt, ku Jashari ka thënë se, bazuar në raportet zyrtare të organeve që merren me çështje të sigurisë, komuna e Skenderajt vazhdon të mbetet e qetë, madje edhe në vendbanimet ku jeton komuniteti serb.

Komandanti i KFOR-it, Salvatore Cuoci është shprehur i interesuar edhe për aspektin e zhvillimit ekonomik të komunës së Skenderajt, ndërsa Jashari ia ka bërë të qartë synimet dhe planet në funksion të zhvillimit ekonomik, duke përmend Parkun e Biznesit, pastaj projektin e Pendës në Kuqicë, realizimi i të cilit do të siguronte furnizim me ujë të pijes dhe për ujitje për 200 mijë banorë.

Në fund të takimit, u pajtua se bashkëpunimi mes KFOR-it dhe Komunës së Skenderajt do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme