Kosova aktualisht ndodhet në një momentum të jashtëzakonshëm dhe situata në vend kërkon veprime konkrete për mbrojtjen e demokracisë dhe funksionimin e institucioneve.
Kështu ka deklaruar deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sala Jashari.
Jashari ka thënë se është e shqetësuar për gjendjen në të cilën ndodhet vendi.
“Kosova momentalisht është në një momentum të jashtëzakonshëm. Ne jemi shumë të shqetësuar për demokracinë, për demokracinë për të cilën kanë luftuar dëshmorët tanë, luftëtarët tanë. Jemi në një gjendje të jashtëzakonshme për të cilën, sinqerisht, duhen veprime dhe mjete konkrete për të cilat duhet t’i parandalojmë këto çfarë po ndodhin.
Është shumë e thjeshtë kuptimi i gjithë kësaj çfarë po ndodh: merreni një shembull shtëpinë tuaj, në qoftë se i zoti i shtëpisë i thyen rregullat e asaj shtëpie me të cilën ka funksionuar kjo shtëpi vazhdimisht, atëherë si mund t’i thuhet një fëmije ose një qytetari ose dikujt tjetër që të vazhdojnë dhe t’i respektojnë rregullat dhe ligjet, nëse në të njëjtën formë jeni duke dhënë shembullin dhe modelin që vazhdimisht po shkelet Kushtetuta, po thyhen rregullat dhe po thyhet çdo funksionim i mundshëm me të cilin Kosova ka funksionuar vit pas viti deri tash ku jemi sot?”, ka thënë Jashari.
Deputetja e PDK-së ka deklaruar se kjo parti e konsideron obligim ruajtjen e shtetit dhe ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të fillojë seancat konstituive.
“Ne si Partia Demokratike e Kosovës jemi dhe partia e dytë më e fuqishme në Kosovë, e kemi për obligim dhe detyrë tonën që ta ruajmë shtetin tonë me të gjitha format e mundshme. Kështu që fillimisht kërkojmë nga Vetëvendosja që të fillojnë seancat e tyre, anise e kanë shkelur Kushtetutën dhe vazhdimisht janë duke e kthyer këtë në normalitet, për të cilën më të vërtetë shqetësimi është shumë i madh.
Kështu që ne kërkojmë që ta fillojnë seancën konstituive, i kanë votat dhe nuk duhet që të ketë arsyetime, se bashkë me pushtetin duhet të mbahen përgjegjësi përpara popullit. Unë jam e sigurt që edhe ata votues të Vetëvendosjes nuk presin për stagnim edhe nuk presin për zgjedhje”, është shprehur ajo.
Jashari ka theksuar se PDK-ja, sipas saj, ka ngritur vazhdimisht shqetësime për çështje që i ka konsideruar të kundërligjshme dhe ka bërë thirrje për marrje të përgjegjësisë dhe vazhdim të procesit të formimit të institucioneve.
“Partia Demokratike e Kosovës vazhdimisht, që nga legjislatura e nëntë me të cilën edhe unë kam qenë pjesë e saj, kemi dëshmuar për çështje që po ndodhin të kundërligjshme, duke shkelur Kushtetutën dhe vazhdimësinë e saj që po e kemi edhe sot. Për mua, unë shpresoj që të merret përgjegjësi, të reflektohet dhe të vazhdohet se Kosova ka nevojë për stabilitet”, ka deklaruar Jashari.
Sipas saj, Vetëvendosja nuk ka arsye për të kërkuar kohë, pasi i ka votat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe, si parti fituese, ka përgjegjësi për formimin e institucioneve.
“Unë besoj që kryesisht Vetëvendosja, sikur po kërkon kohë për—vetë ata nuk e dinë për çka janë duke kërkuar kohë, për shkak që ata votat i kanë për kryetarin e Kuvendit, edhe në të njëjtën kohë si lider partiak dhe si parti fituese e kanë përgjegjësinë dhe e kanë pasur përgjegjësinë që ta formojnë konstituimin, të gjejnë marrëveshje me partitë e tjera në kohën kur është dashur.
Andaj kjo për mua është joseriozitet ndaj qytetarëve të Kosovës dhe me këtë rast, pra, ne si PDK kërkojmë që të ketë seriozitet për shkak që njerëzit kanë dhënë shumë edhe mbi të gjitha, momentumi për të cilin po flasim, ne të gjithë e dimë nëpër familjet tona, nëpër qytetarët tanë, që ka shumë probleme jetike për Kosovën. Dhe mbi të gjitha, përfaqësimi edhe diplomatik i Kosovës, ju veçse e keni vënë re kohët e fundit se çfarë po ndodh.”
Në fund, deputetja Jashari ka thënë se Kosovës i nevojitet më shumë se kurrë stabilitet dhe normalitet, duke përsëritur thirrjen e PDK-së për formimin e institucioneve.
“Andaj ne kemi nevojë më shumë se kurrë seriozitet për krijimin e institucioneve dhe të mos vazhdohet sikur gjithçka është në rregull. Kështu që kjo është thirrja jonë për qytetarët e Kosovës, për Lëvizjen Vetëvendosje, që të vijnë në Kuvend dhe ashtu sikurse dëshirojnë që ne t’i presim me barka dhe tupanë, t’i presim me një normalitet që ia kanë ngujuar Kosovës, sepse Kosova nuk ka nevojë më shumë se kurrë për asgjë tjetër përveçse për stabilitet dhe normalitet”, ka përfunduar Jashari.
