Java e dëshirës për fitore absolute nga Albin Kurti

Prishtinë | 21 Dhj 2024 | 16:58 | Nga Afrim Kasolli

Kryengjarja tematike e javës pa dyshim se ishte prezantimi i kandidatëve për deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje. Në këtë event partiak kryeministri Kurti e “zyrtarizoi” vullnetin dhe dëshirën e tij personale dhe partiake, duke e vendosur si cak elektoral sigurimin e 500.000 votave në zgjedhjet e 9 shkurtit në fillim të viti të ardhëm. Pra mesazhi i këtij fjalimi ishte vazhdim i të njëjtës mendësi që eksponentët e së njëjtës parti kanë filluar ta artikulojnë gjithnjë e më shumë, se a duhet një pushtet edhe më i madh se sa e kanë pasur në mandatin aktual.

Ky numër sipas drejtuesit të Vetëvendosjes nuk është vetëm “një aspiratë sa për kuriozitet, por është më e nevojshme se kurrë që jo vetëm të vazhdojmë punët e mira, të drejta e të domosdoshme që kemi nisur për Republikën tonë, por edhe të mos varemi nga Lista Serbe e as nga klubi i stërvjetëruar politik. Ai po ashtu nuk la pa sulmuar as mediat dhe analistët sepse tashmë “ka shumë zhurmë për natë nëpër shumë studio televizive, sepse zori është i madh. Aty, atje, tek ata nuk flet mendja, por pisket sikleti. Ai është sikleti madh i oligarkisë që transmeton britma-analizë. Këtyre po iu lagët fyti nga ata tashmë vet e ndjenë tharjen e fytit, sepse buxheti i shtetit me neve është nga qytetarët, për qytetarët, pa dallim, e asnjëherë dedikuar mujsharëve e segmenteve të tyre” ka shtuar ndër të tjera Kurti.

Nuk ka dyshim se me këtë lëvizje taktike, kryeministri Kurti ia doli ta mbajë si temë kryesore publike këtë javë vetveten dhe partinë që e drejton. Dhe ku ne vend të diskutimeve mbi arritjet apo dështimet gjatë këtij mandati qeverisës, natyra e debatit u zhvendos në një pyetje themelore se pse i duhet edhe më shumë pushtet, kur ai edhe ashtu ka pasur më tepër se sa ka qenë në gjendje të administrojë. Madje, nëse ka diçka që e ka plagosur shpirtërisht kryeministrin Kurti, gjatë kësaj kohe, jo pse ai është kontestuar apo sfiduar politikisht, por pse ka qenë i privuar nga kjo mundësi dhe antagonizmi politik. Përjashto, sulmet e fundit personale të Ramush Haradinajt, pjesën më të madhe të kohës opozita post-politike në Kuvend as që ka qenë e interesuar për beteja politike me të. Përjashto disa nisma juridike në Gjykatën Kushtetuese ka munguar antagonizmi kundër narracionit hegjemonik të tij në tema kyçe si sovraniteti, veriu etj.

Sidoqoftë, me shpalosjen e kësaj dëshire dhe etje për fitore absolute, të paktën për një javë Albin Kurti, ia doli që ta përfshijë një pjesë të madhe të diskutimeve publike në vorbullën e interesave të tij momentale taktike për të heshtur përkohësisht disa nga dështimet që e kanë karakterizuar këtë mandat.

Të ngjashme