Java e ardhshme pritet që të jetë vendimtare për zhbllokimin e krizës politike në Kosovë. Koalicioni PAN do të bëjë përpjekjen e radhës, për të shtatën herë, që të mund ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit e pastaj edhe nënkryetarët.
Bilall Sherifi, deputet i Nismës për Kosovën pjesë e këtij koalicioni, ka thënë për Indeksonline se janë “në përgatitje finale” për të siguruar votat për kryeparlamentarin dhe pastaj mandatarin për kryeministër.
Sherifi nuk ka dashur që të flasë rreth mundësisë që partia e Behgjet Pacollit t’i bashkohet PAN-it, me arsyetimin se ky subjekt politik duhet të vendos vetë se çfarë të veprojë.
“Sa i përket përgatitjeve për vazhdimin e seancës konstituive të filluar me 3 gusht, besoj qe sapo te krijohet shumica e nevojshme prej së paku 61 deputetëve ajo do të thirret dhe do te zhvillohet sipas rendit te ditës”, ka thënë Sherifi.
Por, Sherifi nuk ka dashur të komentojë më shumë rreth propozimit të AKR-së për një qeveri gjithëpërfshirëse në vend, duke thënë se tanimë dy subjektet politike VV e LDK e kanë refuzuar një gjë të tillë.
“Qeveria gjithëpërfshirëse është refuzuar nga LDK dhe VV, prandaj është i tepërt çdo koment rreth saj”, është shprehur ai.
Vendi është duke u përballur me një krizë institucionale, pasi subjektet politike nuk po arrijnë ende të gjejnë ndonjë dakordim për ndarjen e pushteteve.
Në anën tjetër zgjedhjet lokale do të organizohen më 22 tetor dhe nuk përjashtohet mundësi që të ketë bllokadë institucionale deri në këto zgjedhje.