Javën tjetër mbahet konferenca ndaj Thaçit e të tjerëve, këto janë pyetjet për të cilat trupi gjykues pret përgjigje nga ZPS

Prishtinë | 06 Shk 2023 | 11:03 | Nga Ekonomia Online

Më 15 shkurt, mbahet konferenca përgatitore e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për gjykimin në rastin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Lidhur me këtë konferencë, është bërë publike agjenda e përpiluar nga trupi gjykues, e cila pritet të ndiqet gjatë konferencës, ku ndër pyetjet që trupi gjykues ka parashtruar për prokurorinë është se pse besojnë se duhen mbi 700 orë dëshmi të drejtpërdrejta në pyetje në këtë çështje, kur kjo shifër tejkalon kohën e caktuar për prokurorinë në çështjet e mëparshme komplekse pranë gjykatave të ndryshme penale ndërkombëtare dhe gjykatave speciale?

Sipas agjendës së përcaktuar nga trupi gjykues, ata do të kërkojnë përgjigje specifike për çështjet e artikuluara në paragrafët 1-5 të Rregullës 118 të Rregullores, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Konkretisht do të kërkojnë nga prokuroria të përgjigjen në pyetjet : a) Sa dëshmitarë gjithsej ka ndërmend të thërrasë ZPS? b) A ka ndërmend ZPS të zvogëlojë apo ngushtojë numrin e akuzave në aktakuzë? c) A parashikon ZPS paraqitjen e provave në lidhje me çdo vend krimi të listuar në aktakuzë?

Tutje, do të kërkojnë përgjigje edhe për pyetjet: Sa vende krimi do të referohen në çështjen e Prokurorit të Specializuar dhe sa prej tyre zbatohen drejtpërdrejt për akuzat? Sa kohë mendon ZPS se do t’i duhet të paraqesë provat në çështjen e tij? A ka qenë i suksesshëm Prokurori i Specializuar në krijimin e një plani apo metode përmes së cilës ai do të jetë në gjendje të shkurtojë kohëzgjatjen e parashikuar të marrjes në pyetje të drejtpërdrejtë të dëshmitarëve? Cilët faktorë beson ZPS që duhet të marrë parasysh trupi gjykues kur ushtron diskrecionin e tij për të përcaktuar kohën në dispozicion të Prokurorit të Specializuar për të paraqitur provat e tij?

Ata do kërkojnë përgjigje edhe se pse Prokurori i Specializuar beson se duhen mbi 700 orë dëshmi të drejtpërdrejta në pyetje në këtë çështje, kur kjo shifër tejkalon kohën e caktuar për prokurorinë në çështjet e mëparshme komplekse pranë gjykatave të ndryshme penale ndërkombëtare dhe gjykatave speciale?

Po ashtu do të kërkojnë të dinë se cila është data e synuar e Prokurorit të Specializuar për mbylljen e çështjes së saj në dritën e orarit të seancave, detyrimin e Panelit për të siguruar që mbrojtjes t’i ofrohet një mundësi e drejtë për të marrë në pyetje dëshmitarët dhe koha e nevojshme në sallën e gjyqit për të trajtuar çështjet ndihmëse?

Tutje, përgjigje do të kërkojnë edhe për gjendjen aktuale e marrëveshjes ndërmjet Palëve për çështje faktike dhe juridike?

“k) Cilët dëshmitarë në listën e Rregullës 95(4) të ZPS, nëse ka, ka vendosur tani ZPS se nuk do të kërkojë të thërrasë? l) Përafërsisht sa pjesë ose përqindje e provave të propozuara, siç përmbahen në listën e Rregullës 95(4)(c) të saj, ka në plan Prokuroria të kërkojë të ofrojë nga tabela dhe jo përmes një dëshmitari”, janë pyetjet e tjera që do të parashtrojë trupi gjykues.

Në vijim thuhet se trupi gjykues do të kërkojë përgjigje specifike, jo të përgjithshme, nga Prokurori i Specializuar për pyetjet e mëposhtme procedurale shtesë:

“ a) Sa dëshmitarë të bazuar në krim do të thirren? b) Sa dëshmitarë të “strukturës së UÇK-së” do të thirren? c) Sa dëshmitarë do të dëshmojnë në lidhje me veprimet dhe sjelljen e të akuzuarve? d) Sa dëshmitarë duhet të dëshmojnë në lidhje me elementet kontekstuale që lidhen me akuzat (në veçanti, ekzistenca dhe natyra e pretenduar e konfliktit të armatosur; ekzistenca e supozuar e një sulmi të gjerë ose sistematik të drejtuar kundër një popullsie civile)? Nga këto, sa do të dëshmojnë plotësisht personalisht dhe sa do ta bëjnë këtë në përputhje me Rregullat 153 dhe 154 të Rregullores”, thuhet në agjendë.

Trupi gjykues thuhet se do të kërkojë përgjigje nga palët për pyetjet e mëposhtme për çështje thelbësore si marrëdhënien ndërmjet mënyrave të përgjegjësisë së Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale (“NPK”), Ndihmës dhe Bashkëpunimit dhe Përgjegjësisë Superiore (zbatueshmëria kumulative, alternative ose plotësuese)

“b) Mënyrat e mundshme alternative të përgjegjësisë (NPK II, bashkëkryerje, kryerje indirekte). c) Elementet objektive dhe subjektive të NPK-së (A kërkon detyrimi i NPK-së një kontribut të konsiderueshëm apo të rëndësishëm? A mund të zbatohet NPK III për krime specifike me dashje?). d) Elementet e krimeve të mëposhtme: i. Burgimi, si krim kundër njerëzimit (A është (nuk) mjafton heqja e lehtë e lirisë?)”, thuhet tutje në agjendën e përcaktuar.

Trupi gjykues ka listuar edhe pyetjet e mëposhtme në agjendë, për të cilat do të kërkojë përgjigje:

1.Zhdukja me forcë, si krim kundër njerëzimit (A është UÇK-ja një “organizatë politike” sipas kuptimit të nenit 13(1)(i) të Ligjit?); iii. Ndalimi abitrar, si krim lufte (A duhet të ketë një prag graviteti për heqjen e lirisë?); iv. Tortura, si krim lufte dhe si krim kundër njerëzimit (A kërkojnë të dyja veprat që kryesi të ndjekë një qëllim të caktuar?). e) Autoritetin e Trupit Gjykues për të rishikuar gjetjet e Dhomës së Apelit në lidhje me NPK-në, siç pasqyrohet në Vendimin e tij mbi Mocionet që Kundërshtojnë Juridiksionin e Dhomave të Specializuara. 3 f) Pragu ligjor për nivelin e organizimit që kërkohet që një grup të jetë palë në një konflikt të armatosur.

Po ashtu, do të kërkojë përgjigje për pyetjet e mëposhtme për çështjet thelbësore nga ekipi mbrojtës i Thaҫit: a) Referencat për planin e supozuar serb për spastrimin etnik të Kosovës nëpërmjet operacionit “Patkoi”. b) Referencat për krimet nga forcat serbe ose serbe në Kosovë.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Kjo pasi, gjykatësi e kishte aprovuar pjesërisht mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, të parashtruar ndaj aktakuzës së ndryshuar në rastin ku ai me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, po akuzohen për krime lufte dhe ZPS ishte urdhëruar të bëjë ndryshime në aktakuzën e ndryshuar.

Në këtë aktakuzë, thuhet se përmes veprimeve dhe mosveprimeve të përshkruara më lart, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë kryer përmes pjesëmarrjes së tyre në një ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe/ose kanë ndihmuar dhe nxitur krimet e ngarkuara në këtë aktakuzë.

Sipas prokurorisë, krahas kësaj ose në alternativë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë përgjegjës si eprorë për krimet e kryera nga vartësit e tyre.

Tutje, aktakuza thotë se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, e dinin ose kishin arsye të dinin se krimet e akuzuara në këtë aktakuzë ishin gati të kryheshin ose ishin kryer nga vartësit e tyre dhe nuk kishin marrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme për parandalimin e krimeve të tilla ose të ndëshkojnë autorët e saj.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi individualisht penalisht përgjegjës për: pikën 1 persekutim mbi baza politike dhe/ose etnike, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas nenit 13 (1) (h), 16 (1) ( a), dhe 16 (1) (c) të Ligjit; Pika 2: burgim, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (e), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit; pikën 3 arrestimi dhe paraburgimi i paligjshëm ose arbitrar, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c), 16 (1) (a), dhe 16 (1) (c) të Ligjit”, thuhet në aktakuzë nga ana e prokurorisë.

Në pikën 4, ata ngarkohen me veprën akte tjera çnjerëzore, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (j), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit, kurse në pikën 5 për trajtim mizor, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit.

“Pika 6: torturë, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (f), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të ligji; Pika 7: torturë, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit; Pika 8: : vrasje, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (a), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit; Pika 9: vrasje, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit; Pika 10: zhdukja e detyruar e personave, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit”, thotë aktakuza.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.

“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues. (Betimi për Drejtësi)

Të ngjashme