Jetesa me deponi e kafshë të ngordhura në derë të shtëpisë në “Kodër të Trimave”

Prishtinë | 13 Kor 2024 | 15:58 | Nga Ekonomia Online

Një Prishtinë të pastër ua premtoi Përparim Rama gjatë fushatës së tij zgjedhore, por as tre vjet pas të tillë nuk po e shijojnë banorët e Kodrës së Trimave, në rrugën “Agim Osaj”.

Banorët e lagjes “Kodra e Trimave” për emisionin Ju Flet Prishtina, nuk hezituan të tregojnë për jetesën e tyre në mes mbeturinave përskaj shtëpive, për të cilat këta thonë se kanë edhe frikë përhapjen e ndonjë epidemie. Kafshët e ngordhura dhe mbetjet, i shqetësojnë më së shumti këta banorë.

E ish-drejtori i Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, tha se veç projektit për krijimin e një qendre për grumbullimin dhe trajtimin e mbeturinave, pasardhësit të tij ia ka lënë të gatshëm edhe buxhetin, porse sipas tij nuk ka ndonjë shkëndijë nëse po punohet në këtë drejtim.

Për deponinë ilegale në rrugën “Agim Osaj”, tash e tetë muaj një zgjidhje po e kërkon edhe Vetëvendosje.

Por për zgjidhje të këtyre banorëve me bërllokun, i pari i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, tha se ajo sipërfaqe ku janë mbeturinat është pronë private dhe për intervenim nga komuna, kjo kërkon trajtim të dyanshëm.

Të ngjashme