Johnson do t’i ashpërsojë dënimet me burg pas sulmit në Londër

Prishtinë | 02 Dhj 2019 | 10:03 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka thënë të dielën se ai do të ashpërsojë dënimet me burg, duke u zotuar në këtë mënyrë ta fuqizojë sigurinë, pas një sulmi në kryeqytetin britanik prej një personi të dënuar për terrorizëm, që ishte liruar para se ta vuante dënimin e plotë.

Me më pak se dy javë para se britanikët të dalin në vendvotime, ligji dhe rendi janë vënë në krye të agjendës zgjedhore pasi që Usman Khan, i veshur me një xhaketë të rreme kamikazësh dhe me thika në dorë, ka lënë dy të vdekur të premten, para se të vritej nga policia.

Partia konservatore e Johnsonit ka premtuar masa të ashpra policore dhe dënime më të mëdha me burg, por kundërshtarët e kanë kritikuar partinë qeverisëse për mbikëqyrjen e gati një dekade të shkurtimeve të shërbimeve publike, raporton Reuters.

Johnson ka thënë se nëse i fiton zgjedhjet e 12 dhjetorit, ai do të investojë më shumë para në sistemin e burgjeve dhe do t’i ashpërsojë dënimet.

“Do të miratojmë dënime më të ashpra për shkelësit e dhunshëm të ligjit dhe për terroristët”, ka thënë ai për rrjetin britanik, BBC.

“E dënoj absolutisht faktin se ky njeri ishte i lirë, kjo gjë më duket tejet neveritëse dhe ne do të ndërmarrim veprime”.

Ai ka synuar që rivalin e tij për postin e kryeministrit, Jeremy Corbyn, ta paraqesë të dobët sa i përket rendit dhe ligjit, duke e fajësuar Partinë Laburiste për ligjin që liron automatikisht disa të burgosur, edhe kur ata nuk e vuajnë dënimin e plotë.

Johnson ka thënë se janë mbase 74 persona të dënuar për shkelje të rënda, të cilat ishin liruar mbi bazën e këtij ligji, duke shtuar se ata po monitoroheshin, për ta garantuar sigurinë e qytetarëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme