Boris Johnson ka mbajtur fjalimin e tij të parë si kryeministër i Britanisë.
Sa i përket largimit të vendit të tij nga Bashkimi Evropian më 31 tetor, Johnson ka thënë se qeveria e tij do të kthejë besimin në demokraci.
“Njerëzit që sfidojnë Britaninë do të humbasin bastin sepse ne do të rikthejmë besimin në demokraci dhe ne do të përmbushim premtimet e parlamentit ndaj popullit si dhe do të largohemi nga BE-ja më 31 tetor”, ka thënë Johnson, raporton REL.
Sa i përket përgjegjësisë për të përfunduar procesin e Brexit-it, ai ka thënë se “sot do të ndërtoj një ekip fantastik të burrave dhe grave, për të parë ndryshimin” që dëshiron të shohë.
Ai ka thënë se dëshiron të hartojë një marrëveshje të re me BE-në sa i përket largimit të Britanisë nga blloku evropian.
Vendimi për Brexit ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.
Johnson ka falënderuar ish-kryeministren britanike, Theresa May për shërbimin publik dhe durimin, gjatë udhëheqjes së saj.
Para se të mbante fjalim para zyrës së kryeministrisë, Johnson është takuar me Mbretëreshën Elizabetë, e cila i ka kërkuar atij që të formojë administratën e re.
Theresa May ka njoftuar se më 7 qershor se do të largohet nga pozita e lideres së Partisë Konservatore në Britani, duke i hapur rrugën procesit të zgjedhjes së kryeministrit të ri.
May është përballur me presion të madh nga partia e saj për t’u larguar nga pozita që ka, pasi plani i saj për largim të Britanisë nga Bashkimi Evropian ka dështuar të miratohet në Parlamentin britanik.