E ardhmja e rajonit është në Bashkimin Europian; ky është, i përmbledhur, mesazhi kyç i turneut të shefit të Komisionit Europian në Ballkan, Jean Claude Juncker.
Rrugëtimi i tij në rajon erdhi pak javë pasi organizmi që drejton prezantoi përpara Parlamentit Europian strategjinë e vet të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor. Gjatë vizitës që e çoi në Serbi, Maqedoni, Shqipëri, Bosnje Hercegovinë, Kosovë, Malin e Zi dhe që u përmbyll me ndalesën në Sofje, Juncker përsëriti mesazhet e përcjella në strategjinë e prezantuar si dokument për integrimin e mëtejshëm të rajonit, me theksin e vendosur tek rëndësia e vlerave europiane, transmetojnë medie.
Edhe një herë, lideri europian i mëshoi idesë së kapërcimit të pengesave përpara aderimit, dhe plotësimit të kritereve kyçe siç janë lufta kundër korrupsionit, sundimi i ligjit, mosmarrëveshjet kufitare e pajtimi.
Bashkimi Europian, e bëri të qartë shefi i KE-së, është i hapur për anëtarësime të mëtejshme vetëm atëherë kur vendet t’i kenë përmbushur individualisht kriteret.
Pavarësisht se strategjia i cilësonte Serbinë dhe Malin e Zi si kandidatët kryesorë në procesin e pranimit, Juncker u kujdes ta theksonte se 2025-sa është një datë e hapur për të gjithë vendet aspirante.
Nga ana tjetër mes anëtarëve të bllokut ekziston shqetësimi për të mos e përsëritur afrimin e nxituar që ndodhi me Rumaninë dhe Bullgarinë në 2007-tën. Juncker sidoqoftë e deklaroi hapur në fund se po kthehej në Bruksel me bindjen se vendi i Ballkanit Perëndimor është në zemër të BE-së.
Jean Claude Juncker, përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme e Siguri Federica Mogherini dhe Joahnnes Hahn, komisionar europian për Zgjerim e Fqinjësi të mirë kanë qëndruar në Kosovë më 28 shkurt.