“Deri në qershor do t’i bëjmë disa marrëveshje. Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve do të thotë shkëmbimi i njerëzve, shkëmbimi i ideve, bashkëpunimi i projekteve, jo vetëm për projektet në Kosovë, por edhe konkurrimi në projektet evropiane që lidhen me disa shtete e me disa universitete”, ka thënë për KOHËN, Justina Shiroka-Pula, e cila të premten është zgjedhur kryetare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Ka theksuar se fokusi i parë i drejtimit të saj do të jetë hapja e Akademisë ndaj institucioneve të arsimit të lartë dhe akademive në rajon dhe më gjerë.
Ndërrimi i udhëheqjes së Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, më shumë sesa një akt procedural i radhës, e rikthen në vëmendje pyetjen se çfarë pritet sot nga institucioni më i lartë shkencor dhe artistik i vendit, sa e përmbush ai funksionin këshillues dhe orientues që ia njeh ligji dhe nëse Akademia po arrin të artikulojë një zë të dallueshëm në proceset kulturore e intelektuale që e formësojnë shoqërinë bashkëkohore kosovare.
Kuvendi i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës ka zgjedhur të premten kryetaren e re të këtij institucioni, Justina Shiroka-Pula, duke përmbyllur një proces të rregullt zgjedhor dhe duke hapur një mandat të ri drejtues në institucionin më të lartë të shkencës dhe të artit në vend. Zgjedhja është bërë në përputhje me dispozitat ligjore dhe statutore, në një kohë kur pritjet ndaj Akademisë janë shtuar, si në aspektin e transparencës, ashtu edhe të rolit të saj publik. Nuk ka pasur kundërkandidat dhe është votuar me unanimitet. Shiroka-Pula është gruaja e parë në krye të AShAK-ut. Paraprakisht ka qenë nënkryetare. Kishte dhënë dorëheqje në janar të vitit 2023, “për shkak të rrethanave të krijuara në Akademi dhe rreth saj, dhe pamundësisë së bashkëpunimit kolegial dhe njerëzor me udhëheqjen e Akademisë”. Si kryetare ka mandat katërvjeçar.
Shiroka-Pula ka paralajmëruar se deri në muajin qershor pritet nënshkrimi i disa marrëveshjeve konkrete, të cilat, sipas saj, nuk synojnë vetëm projekte vendore, por edhe përfshirjen e Akademisë në iniciativa ndërkombëtare kërkimore.
“Deri në qershor do t’i bëjmë disa marrëveshje. Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve do të thotë shkëmbimi i njerëzve, shkëmbimi i ideve, bashkëpunimi i projekteve, jo vetëm për projektet në Kosovë, por edhe konkurrimi në projektet evropiane që lidhen me disa shtete e me disa universitete”, ka thënë kryetarja e re e Akademisë në një bisedë me KOHËN.
Ka veçuar gjithashtu bashkëpunimin me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
“Bashkëpunim të mirë dëshirojmë të hapim edhe me akademitë e tjera. Me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, për momentin jemi duke e bërë ‘Enciklopedia shqiptare’, e cila besoj që për nja dy vjet del botimi i parë. Këtë e kanë financuar edhe Qeveria e Shqipërisë, edhe Qeveria e Kosovës”, ka shtuar ajo.
Një tjetër shtyllë e mandatit të ri pritet të jetë krijimi i “Akademisë së të Rinjve”, një platformë bashkëpunimi për studiues dhe hulumtues të moshës 22 deri në 40 vjeç, e cila synon t’i afrojë brezat e rinj me punën akademike pa i përfshirë drejtpërdrejt në strukturën formale të Akademisë.
“Nuk janë pjesë të Akademisë, por është një hyrje, një rrugë që të bashkëpunojë me Akademinë dhe me akademitë që janë në regjion. Do të bëjmë më shumë diskutime, prezantime, do t’i ftojmë kuadrot tona, të cilët kanë studiuar, që jetojnë jashtë e që janë profilizuar, të vijnë të mbajnë ligjërata e trajnime dhe të hapemi në përgjithësi sa i përket sistemit të arsimit, të hulumtimit dhe në këtë çështje të modernizohemi”, është shprehur akademikja Shiroka-Pula.
Në sferën e kërkimeve ekonomike dhe sociale, Shiroka-Pula ka theksuar se disa projekte të realizuara nga Akademia tashmë janë pjesë e vlerësimeve evropiane mbi shkathtësitë e studentëve dhe fuqisë punëtore, duke ofruar një pasqyrë krahasuese për nivelin e arsimit dhe zhvillimit në Kosovë.
“Në sferën e ekonomisë, ne kemi bërë shumë projekte hulumtuese, me të cilat po rangohemi në listën evropiane sa u përket shkathtësive të studentëve tanë, të njerëzve e bizneseve tona dhe kjo ka rëndësi, edhe se cili nivel i shkollimit është. Në ato hulumtime që janë jashtë, projektet që i kemi bërë janë bartur atje dhe rangohemi përafërsisht… kemi një informacion jashtë, do të kemi edhe informacione se çka po ndodh me arsimin, me bizneset dhe me rininë në Kosovë”, ka thënë në vazhdim ajo.
Sipas saj, plasimi i këtyre projekteve jashtë vendit është i domosdoshëm për të kuptuar realisht pozicionin e Kosovës në raport me rajonin dhe Evropën.
Në biografinë e publikuar në faqen e AShAK-ut shkruhet se Shiroka-Pula u lind më 1953 në Prishtinë. Shkollën fillore (1968) dhe të mesmen (1972) i kreu në Prishtinë. Diplomoi me sukses në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë, në vitin 1976. Studimet pasuniversitare, në fushën e Teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik, i vijoi në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Zagrebit, ku u diplomua në vitin 1984. Sipas biografisë Shiroka-Pula u doktorua në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës (1977), duke mbrojtur tezën e doktoratës me titull ”Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.
Shiroka-Pula ka pasuar kryetarin e deritashëm, akademik Mehmet Krajën, që ka qenë kryetar prej vitit 2021 deri më tash. Kryetar qe edhe prej vitit 2019 – kur akademik Nexhat Dacit iu ndërpre mandati, pasi ai i kishte mbushur 75 vjet.
Kuvendi i AShAK-ut në zgjedhjet e rregullta për zgjedhjen e Kryesisë së Akademisë, që janë mbajtur të premten, për nënkryetar ka zgjedhur akademikun Fejzullah Krasniqi, ndërsa sekretar shkencor është zgjedhur akademik Bardh Rugova.
Në njoftimin e AShAK-ut thuhet se Kuvendi i Akademisë gjithashtu ka miratuar zgjedhjen e sekretarëve të seksioneve.
Anëtari korrespondent Nysret Krasniqi është zgjedhur sekretar i Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, akademik Frashër Demaj, sekretar i Seksionit të Shkencave Shoqërore, anëtari korrespondent Enver Hamiti, sekretar i Seksionit të Shkencave të Natyrës dhe anëtari korrespondent Ismet Jonuzi, sekretar i Seksionit të Arteve.
AShAK-u është themeluar në vitin 1975 si Shoqata e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, ndërsa në vitin 1978 ka marrë formën institucionale të akademisë. Që nga fillimi, udhëheqja e saj ka reflektuar jo vetëm zhvillimet akademike, por edhe tensionet politike të kohës. Mandatet e para janë shënuar nga figura si Esad Mekuli, Idriz Ajeti, Dervish Rozhaja dhe Syrja Pupovci, në një periudhë kur Akademia po konsolidohej si qendër e studimeve albanologjike, shkencave shoqërore dhe krijimtarisë artistike.
Kthesa më e rëndë institucionale ka ndodhur në vitin 1992, kur Parlamenti i Serbisë shpalli në mënyrë joligjore mbylljen e Akademisë. Ky vendim shkaktoi përçarje të thellë në trupin akademik: një pjesë e anëtarëve serbë e pranuan atë dhe vazhduan veprimtarinë në Akademinë Serbe, ndërsa anëtarët shqiptarë dhe boshnjakë e mbajtën gjallë ASHAK-un në rrethana të reja, shpeshherë pa kushte minimale pune. Kjo dekadë është shënuar edhe nga humbje të mëdha njerëzore dhe largime pasive, që e kanë dobësuar dukshëm kapacitetin institucional, pavarësisht zgjedhjes së anëtarëve të rinj.
Në vitet që pasuan, Akademia ka kaluar përmes udhëheqjeve të ndryshme, nga Mark Krasniqi e Gazmend Zajmi, te Nexhat Daci, duke ruajtur vazhdimësinë institucionale edhe në periudhën e luftës dhe pas saj. Mandatet e Rexhep Ismajlit, Besim Bokshit, Hivzi Islamit dhe më pas të Mehmet Krajës kanë shënuar faza të ndryshme të stabilizimit ligjor dhe funksional, në një Kosovë tashmë me institucione shtetërore të konsoliduara.
Aktualisht, veprimtaria e Akademisë rregullohet nga Ligji për ASHAK-un i vitit 2015, i cili e definon atë si institucion publik të pavarur në fushën e shkencës dhe të artit, me autonomi shkencore dhe artistike. Akademia funksionon përmes seksioneve dhe organeve drejtuese, Kuvendit, Kryesisë dhe kryetarit, ndërsa anëtarësia e saj është e përjetshme dhe ndahet në kategori të rregullta, korrespondente, të jashtme dhe nderi.
Në këtë kuadër institucional, mandati i ri hapet me synimin për një ripozicionim më të dukshëm të Akademisë në jetën publike.
Kryetarja e sapozgjedhur, Justina Shiroka-Pula, ka theksuar se fokusi i parë i drejtimit të saj do të jetë hapja e Akademisë ndaj institucioneve të arsimit të lartë dhe akademive në rajon dhe më gjerë. Sipas saj, mungesa e bashkëpunimeve aktive ndërinstitucionale ka qenë një ndër boshllëqet kryesore të viteve të fundit, ndaj prioritet do të jenë marrëveshjet që mundësojnë shkëmbime ligjëratash, projekte të përbashkëta dhe konkurrim në programe evropiane.
Mandati i ri drejtues hapet në vitin jubilar të gjysmëshekullit të ekzistencës së Akademisë, një moment që nxit reflektim mbi trashëgiminë institucionale, por edhe mbi sfidat e së ardhmes. AShAK-u shënoi jubileun e themelimit javën e kaluar.
Zgjedhja e kryetares së re dhe formimi i Kryesisë së re shënojnë një kapitull tjetër në historinë e AShAK-ut, në një kohë kur roli i institucioneve të dijes po rishqyrtohet vazhdimisht në shoqërinë kosovare.