Pas disa muajve përgatitje intentsive dhe trajnimeve të stafit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), me ndihmën e OBSh-së dhe OJQ-së PEN, si dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale të Arsimit, ka filluar faza e parë e projektit “Për nxënës të shëndetshëm”.
Ky projekt u dedikohet nxënësve të shkollave të Prishtinës, me ç’rast çdo javë në secilën shkollën do të shkojnë staf profesional mjekësorë, që do të kenë si qëllim në vete edhe edukimin e fëmijëve për shëndetin, e jo vetëm kontrollin apo intervenimin. Kjo nismë bëhet në mënyrë që t’i vetëdijesojmë nxënësit qysh në moshën e hershme për përgjegjësitë që kanë në raport me shëndetin ashtu, që t’i parandalojnë problemet eventuale shëndetësore në të ardhmen.
Secila Qendër e Mjekësisë Familjare do të formojë ekipe me nga dy persona, ku përfshihet një mjek familjar apo stomatolog dhe një infermiere apo asistente e stomatologjisë. Temat që do t’iu ligjërohen nxënësve nga ky staf profesional, do të përzgjedhen varësisht moshës që kanë nxënësit.
Fillimisht, projekti po testohet në 3 shkolla, meqë së shpejti do të nisin vizitat sistematike. Tutje, do të vazhdohet në secilën shkollë të Prishtinës, me të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e nëntë.
Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës falënderon stafin mjekësorë për angazhimin maksimal në këtë drejtim, duke iu dëshiruar suksese në vazhdimin e këtij projekti.