Vazhdon projekti “Unë lexoj” në Rahovec

Rahovec | 14 Dhj 2016 | 15:17 | Nga

Projekti “Unë lexoj” i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe i qendrës rinore “SHL-Kosova”, ka vazhduar në shkollën e mesme “Ukshin Hoti” në Krushë të Madhe.

Me këtë rast, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Gardalin Shtavica, tha se po bëjnë përpjekje të vazhdueshme që të rinjve t’iu ofrohen kushte sa më të mira për lexim, duke siguruar edhe literaturë në vazhdimësi.

Sihana Duraku, nga qendra rinore “SHL-Kosova” theksoi se kjo qendër vazhdon të jetë një pikë referimi për shumë të rinj e të reja, ndërsa aktivitetet e përditshme ju mundësojnë të rinjve të afirmohen dhe të dëshmojnë kreativitet, siç është edhe projekti “Unë lexoj”.

Qemajl Krasniqi, shef i sektorit për Rini dhe Sport, tha se ky projekt po gjen përkrahje gjithnjë e më të gjerë nga drejtoritë e shkollave, nxënësit dhe të tjerët, prandaj edhe do të vazhdojë të “shëtisë” nëpër shumë qendra të komunës së Rahovecit. Ai i ftoi të rinjtë që të angazhohen edhe më shumë dhe të jenë pjesë e projekteve që organizohen nga të rinjtë dhe për të rinjtë në këtë komunë.

Nxënësit më të dalluar, të përzgjedhur nga profesori i letërsisë në këtë shkollë, Frashër Behra, lexuan fragmente nga disa vepra të shkrimtarëve të njohur shqiptar dhe botëror, siç janë: L. Tolstoj, E. Heminguej, I. Kadare. Arturo Perez-Reverte, Miguel A. Asturias, B. Zllami, E. Çabej.

U lexuan edhe krijime origjinale nga nxënësit e kësaj shkolle.

Projekti “Unë lexoj” ka nisur që në fillim të këtij viti shkollor dhe do të vazhdojë deri në përfundim, kur edhe shkollat shkojnë në pushim veror.

Të ngjashme