Kabineti i Osmanit tregon pse u operua në “Aloka”: Aty punon axha i presidentes

Prishtinë | 03 Nën 2022 | 21:37 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u operua për heqjen e tëmthit në spitalin privat “Aloka”.

Reagime të shumta pati ndaj saj, pasi Osmani nuk iu besoi mjekëve tët shtetit, për ta kryer një ndërhyrje të tillë që bëhet qysh pas përfundimit të luftës në QKUK.

Kështilltari i presidentes, Bekim Kupina tha se Osmani është operuar në spitalin privat për shkak se axha i saj punon aty dhe jo në QKUK, pasi që ai tashme është pensionuar. 

Në një përgjigje për Kallxo.com, Kupina tha se axha i të parës së vendit, ka asistuar gjatë ndërhyrjes kirugjike dhe se ai e kishte përcjellë gjendjen e saj që një kohë të gjatë. 

“Arsyeja pse Presidentja Osmani është operuar në spitalin “Aloka” është ngase axha i Presidentes, kirurgu dr. Eshref Osmani është i angazhuar në këtë spital dhe ka qenë në përcjellje të gjendjes shëndetësore të Presidentes qe një kohë të gjatë. I njëjti ka asistuar gjatë ndërhyrjes kirurgjike. Dr. Osmani deri në pensionim ka punuar në QKUK, dhe ka një përvojë kirurgjike mbi 40 vjeçare. I njëjti e ka përcjellë me vite të tëra gjendjen shëndetësore të Presidentes, dhe për rrjedhojë nën këshillimin dhe mbikëqyrjen mjekësore të Dr. Osmanit është realizuar intervenimi kirurgjik në spitalin “Aloka”, meqë për shkak të pensionimit ai nuk punon më në QKUK. Ndërhyrja kirurgjike është realizuar në institucion shëndetësor të licencuar, i cili e ushtron veprimtarinë e tij në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës dhe nga mjekët dhe stafi ndihmës vendor”- ka thënë Kupina. 

Kupina më tutje ka arsyetuar se është e drejtë e pacientit të zgjedhë mjekun andaj sipas tij nuk ka asnjë arsye të njollosen mjekët që punojnë në institucionet shëndetësore, qoftë publike apo private.

“Realizimi i ndërhyrjes kirurgjike nuk paraqet vlerësim të përgjithshëm mbi arritjet dhe sfidat e sektorit publik shëndetësor, pasi që Presidentja Osmani dhe familja e saj në vazhdimësi, në mbi 90 për qind të rasteve, marrin shërbime shëndetësore nga institucionet shëndetësore publike të Republikës së Kosovës. Angazhimi i presidentes Osmani për fuqizimin e sektorit të shëndetësisë nuk ka munguar dhe nuk do të mungoj asnjëherë”, ka thënë Kupina.

Ai më pas ka shtuar se pagesa e intervenimit kirurgjik të Osmanit do të kryhet me mjete vetanake, pasi që ajo dhe familja e saj nuk kanë sigurim shëndetësor.

Të ngjashme