Kadare kundër filmave komunistë

Prishtinë | 10 Pri 2017 | 10:44 | Nga

Kundër shfaqjes së disa prej filmave të realizuar gjatë periudhës komuniste, shprehet edhe shkrimtari i madh Ismail Kadare.

Sipas tij, është e patolerueshme që sot e kësaj dite të vazhdojnë të shfaqen filma, ku spiunimi konsiderohet vlerë. Deklaratën e tij ai e ka dhënë në Kosovë, gjatë një bashkëbisedimi me lexues, në teatrin e “Klan Kosova”.

Mes shumë pyetjesh që të pranishmit i drejtuan kandidatit për Çmimin “Nobel”, u shpreh interes edhe për mendimin që ka ai kundrejt debatit mbi kufizimin e shfaqjes së filmave të realizuar para viteve ’90.

“Është krejtësisht e pahijshme, e pamoralshme, e patolerueshme, që spektatori shqiptar t’i shohë sot ata filma, ku ka personazhe, fëmijë që spiunojnë në favor të regjimit”, u shpreh Kadare.

Përpara viteve ’90, janë realizuar disa filma me skenarë të mbështetur në romanet e shkrimtarit (“Radiostacioni”, “Ballë për ballë”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Të paftuarit”), por asnjë prej tyre nuk ka arritur të përcjellë forcën e veprës së Kadaresë.

Debati

Debati mbi filmat e ish- Kinostudios “Shqipëria e Re” nisi disa javë më parë, kur kreu i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, Agron Tufa, i mbështetur edhe nga anëtari i AMA-s, Erald Kapri, hodhën idenë e kufizimit të shfaqjes së tyre.

Sipas tyre, këta filma shkelin Kushtetutën e Shqipërisë; prekin dhe fyejnë rreth 35% të popullsisë, që kanë vuajtur gjatë diktaturës komuniste; shtrembërojnë historinë; dhe kanë një ndikim negativ te brezi i ri, te të cilët injektohet ndjenja e urrejtjes për një kategori të caktuar të shoqërisë, ndërsa u shfaqet një realitet i rrejshëm i Shqipërisë së asaj periudhe. Ata renditën një sërë titujsh, si më problematikët, të cilët duhet të shfaqen me shpjegimet përkatëse dhe mundësisht në orare të vona transmetimi televiziv.

Në këtë debat u përfshinë kineastë, regjisorë e aktorë, shumica e të cilëve ishte kundër çdolloj censure, që do të na kthente pas në kohë në metodat e diktaturës komuniste.

Por kishte edhe nga ata që binin dakord se ka filma fyes kundrejt personazheve realë apo një kategorie të caktuar (shtresa e bejlerëve apo borgjezisë, kleri), që shtrembërojnë historinë, të cilët do të ishte mirë të shfaqeshin të shoqëruar me një bisedë sqaruese mbi periudhën kur u realizuan këta filma dhe se si pushteti i asaj kohe e shfrytëzonte kinematografinë si mjet propagandistik.

Kjo çështje mori rrugë institucionale, përmes një apeli zyrtar që ISKK i drejtoi Kuvendit të Shqipërisë, duke i kërkuar të ndërhyjë në rrugë ligjore për kufizimin e shfaqjes së këtyre filmave.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme