Pas publikimit të lajmit se Kastriot Myftaraj është arrestuar sepse në një shkrim në Facebookun e tij kishte kërkuar vrasjen e ambasadores së Bashkimit Evropian në Shqipëri Romana Vlahutin, shkrimtari Ismail Kadare i ka shkruar një letër ambasadores.
Kadare shprehet se e ka pritur me tronditje fyerjen e ambasadores dhe se është gati t’i ulet në gjunjë asaj për për t’i kërkuar falje , dhe për t’a siguruar se mirënjohja për të është e do të jetë e pacënueshme.
KADARE, LETËR ZONJËS ROMANA VLAHUTIN
Letër për Romana Vlahutin, ambasadore e BE në Shqipëri:
E nderuara Zonjë,
Më lejoni t’ju drejtohem me këtë letër krejtësisht personale, për tronditjen që më shkaktoi sot fyerja e paskrupullt që u bë publikisht kundër jush në shtypin shqiptar.
Nuk është fjala për të sqaruar këtu se ç’është fyerja e një njeriu jo normal dhe se sa pak lidhje ka ajo me një popull e një shoqëri të tërë. Megjithatë ajo fyerje u botua nga shtypi i vendit tim, kështu që në një mënyrë ose një tjetër na vuri para përgjegjësisë të gjithëve.
Ndonëse shkrimtar i njohur, nuk marr përsipër të përgjigjem për ato çka mund të ndodhin në këtë vend, për mirë apo për keq. Do të doja thjesht të ndaja me ju pikëllimin që mund të ndiejë njeriu, i cili, në vendin ku vjen të ndihmojë për kapêrcimin e brengave, ndeshet me një mosmirënjohje të tillë.
E dashur Romana Vlahutin, do të isha gati t’ju kërkoja ndjesë në gjunjë, për t’ju siguruar se mirënjohja për ju është e do të jetë e pacënueshme.
Ismail Kadare
Paris, 10 maj 2017