Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, duket se ka nisur fushatë zgjedhore për zgjedhjet komunale të 22 tetorit.
Kreu i PDK-së, i shoqëruar nga zëvendëskryetari Enver Hoxhaj, dhe nënkryetarë të tjerë, kanë takuar sot në mbrëmje kandidatët për kryetarë dhe kandidatët për këshilltarë të Kuvendeve Komunale të Suharekës dhe Rahovecit. Më herët gjatë ditës, ai qëndroi dhe në në Prizren, ku zhvilloi takime me strukturat partiake.
Në këto takime mobilizuese me strukturat e PDK-së në Suharekë dhe Rahovec, kryetari i PDK-së Veseli theksoi se platforma qeverisëse e partisë që ai drejton është më e mira për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.
Ai tha se PDK ka më së shumti kapital intelektual për të hartuar e zbatuar projekte që hapin perspektivën dhe zhvillimin e Komunave të Kosovës.
Veseli ftoi kandidatët për këshilltarë të Kuvendeve Komunale që të dalin në çdo shtëpi e lagje dhe të shpalosin vizionin dhe platformën qeverisëse të PDK-së.
“I kënaqur me mobilizimin dhe gatishmërinë e kandidatëve për Kryetarë Komunash dhe kandidatëve për Kuvendet Komunale në Suharekë dhe Rahovec. Platforma qeverisëse e PDK-së për zhvillimin e komunave është më e mira dhe garanton perspektivë për qytetarët”, ka shkruar Veseli në faqen e tij në Facebook pas vizitës në degët e PDK-së në Suharekë dhe Rahovec.
Veseli: Flamuri i fitoreve të PDK-së nis me Prizrenin
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga kandidati për Kryetar të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka takuar strukturat e degës dhe kandidatët për këshilltarë të Kuvendit Komunal me të cilët ka diskutuar për përgatitjet për zgjedhjet e 22 tetorit.
Kreu i PDK-së tha se qytetarët e Komunës së Prizrenit e dinë tashmë se adresa më e natyrshme dhe më e aftë për të zhvilluar Prizrenin është Partia Demokratike e Kosovës.
“Ne zotohemi se i gjithë kapaciteti ynë njerëzor e intelektual do të përqendrohet për zhvillim edhe më hovshëm ekonomik në Prizren. Qytetarët e Komunës së Prizrenit e dinë se nuk kanë adresë politike më besnike dhe më sigurt sesa Partia Demokratike e Kosovës”, ka thënë Veseli.
Kreu i PDK-së i ftoi kandidatët për këshilltarë komunalë që të shpalosin para qytetarëve të Prizrenit platformën qeverisëse të PDK-së, e cila ai tha se është e bazuar në nevojat dhe kërkesat e qytetarëve.
Përfaqësuesit e degës së PDK-së në Prizren e kanë falënderuar Kryetarin Veseli për mbajtjen e premtimit për sjelljen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në qytetin historik të Prizrenit.