Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, sot, ka zhvilluar takime në Degën e PDK-së në Obiliq dhe Podujevë, ku ishin të pranishëm, kandidatët për kryetar komune dhe asamblistët e komunave përkatëse.
Kryetari Veseli ka theksuar se këto dy komuna kanë nevojë për vizionin e qeverisjes së Partisë Demokratike të Kosovës. Ndërsa për kandidatët, ka theksuar se me projektet e tyre garantojnë perspektivë për qytetarët dhe janë gati për një udhëtim të suksesshëm përgjatë katër vjetëve të ardhshme.
Në Obiliq, Kryetari Veseli ka theksuar rëndësinë e zgjedhjeve lokale, të pushtetit lokal si dhe për platformën qeverisëse të PDK-së për këtë komunë, duke theksuar prioritete e PDK-së në favor të mirëqenies së qytetarëve si e vetmja alternativë serioze për katër vitet e ardhshme.
Kryetari Veseli e përgëzoi Z. Kelmendi për angazhimin e vazhdueshëm që vizioni i PDK-së të jetë sa më afër qytetarëve, për qeverisje në shërbim të qytetarit dhe për qytetarin, kur kihen parasysh sfidat e kësaj komune si me punësimin e të rinjve, ambientin, infrastrukturën, arsimin, shëndetësinë dhe bujqësinë.
Po ashtu, Kryetari Veseli ka ftuar edhe kandidatët për Kuvend Komunal të jenë të gatshëm të ofrojnë për çdo qytetar, të dhëna të mjaftueshme për platformën qeverisëse të PDK-së, në secilin vendbanim, lokalitet dhe familje të Obiliqit.
Nysret Kelmendi, kandidat për komunën e Obiliqit, theksoi para të pranishmëve gatishmërinë e ballafaqimit me sfidat e kësaj komune, me qeverisjen e mangët si dhe angazhimin për fitore të programit qeverisës për Obiliqin në katër vitet e ardhme.
Ndërsa në Podujevë, po ashtu, Kryetari Veseli theksoi se Partia demokratike e Kosovës, është dëshmuar se mund të realizojë projekte kapitale në shërbim të qytetarëve, si asnjë parti tjetër e vendit tonë, andaj, ka theksuar ai, këto suksese në nivel nacional, në Podujevë, duhet të kthehen në fitore.
Ne jemi gati të Qeverisim në Podujevë, theksoi kandidati i PDK-së në Podujevë, Hajredin Hyseni, i cili theksoi të arriturat e Degës në terren si dhe investimet kapitale gjatë qeverisjes së PDK-së.
“Në koordinim me strukturat e Partisë dhe ekspertë të fushave të vlerësuara me prioritet për Podujevën, kam hartuar platformën qeverisëse për katër vitet e ardhshme. Kjo platformë, garanton zhvillim ekonomik, vende të reja pune për qytetarët e Podujevës dhe perspektivë për Llapin”, ka theksuar Hajredin Hyseni.