Kadriaj fajëson Qeverinë s’e nuk i pranoi ndihmat nga Shqipëria për vërshimet – Kurti: S’kemi pasur nevojë

Prishtinë | 09 Shk 2023 | 12:16 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka deklaruar se Shqipëria kishte ofruar ndihma pas vërshimeve në Kosovë, por që ka thënë se nga institucionet vendore është vlerësuar që ndihma nuk është e nevojshme dhe se situata mund të përballohet me kapacitetet vendore, raporton Ekonomia Online.

Në seancën e sotme plenare në Kuvendin e Kosovës, deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, akuzoi Qeverinë se kishte kërkuar ndihmë nga Shqipëria, por që më pas nuk janë lejuar të hyjnë në Kosovë.

Ajo pyeti kryeministrin Kurti se pse nuk është lejuar ndihma nga Shqipëria.

“Qeveria e Kosovës i ka bërë një kërkesë Shqipërisë që të ndihmoj Kosovën, dhe ne kemi pa që janë nis kolona të gjata me njerëz që janë nis e kanë dashur të ndihmojnë në Skenderaj, për situatën e krijuar nga vërshimet. Pse kryeministër u ndal kolona me ndihma nga Shqipëria dhe nuk është lejuar të hyj në Kosovë? Cili ishte qëllimi i ndalimit të konvojit të Shqipërisë për të ju ndihmuar qytetarëve në Kosovë? ”, ka pyetur kryeministrin e vendit, deputetja e AAK-së.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti, tha se ndihma e ofruar nga Shqipëria pas vërshimeve në Kosovë, ishte e mirëseardhur por tha se situata mund të përballohej me kapacitetet vendore.

“Sa i përket disa prej çështjeve, është e vërtetë se Shqipëria është shprehur e gatshme për të na ndihmuar me ushtrinë e saj kur ndodhën vërshimet javë më parë, por Ministria e Mbrojtjes dhe MPB kanë qenë të qartë se janë shumë falënderues për këtë gatishmëri të Shqipërisë, por nuk ka pasur nevojë për atë lloj ndihme sepse e kanë edhe FSK-ja edhe Policia edhe AME-ja. Pra kemi qenë shumë larg prej limiteve të kapaciteteve tona që të na vijnë në ndihmë, por ata kanë qenë kërkues e ne jemi mirënjohës e falënderues. Në një rast të vështirësimit të gjendjes së vërshimeve, do të mund të na ndihmonte Shqipëria por për shkak të organizimit të mirë që kemi pasur ndërmjet qytetarëve dhe komunave e Qeverisë, kemi arritur që t’ia dalim”, ka deklaruar Kurti.

Në seancën e sotme plenare në Kuvendin e Kosovës, Kurti ka shprehur ngushëllime për të gjithë familjarët e viktimave në emër të popullit të Kosovës, ndërsa ka folur edhe për angazhimin e FSK-së në Turqi

“Ndajmë dhimbjen dhe pikëllimin me popullin e prekur dhe u shprehim ngushëllime familjarëve të viktimave. Kontingjenti i FSK-së në Turqi përbëhet nga një togë i kërkim-shpëtimit, dy ekipe mjekësorë dhe një ekip K-9 me tre qenë. Numri i përgjithshëm i personelit është 36 pjesëtarë të FSK-së dhe ky kontingjent ka zbarkuar në Turqi më 6 shkurt, ndërkaq nga autoritet turke ka vendosur që të funksionojë në Hatay. Janë duke zhvilluar operacionin e kërkim-shpëtimit dhe dhënie të ndihmës së parë mjekësore. Njësitë e specializuara të FSK-së kanë shpëtuar deri më tani një vajzë 2-vjeçare dhe nënën e saj, e po vazhdojnë operacionin”, ka thënë Kurti.

Të ngjashme