Kadriu falënderon kuvendarët e Gjilanit që votuan për emërtimin e autostradës “Agim Ramadani”

Prishtinë | 31 Jan 2019 | 16:36 | Nga Ekonomia Online

Rexhep Kadriu kryetar i AAK-së në Gjilan ka falënderuar të gjithë asambleistët e Kuvendit Komunal në Gjilan dhe kryetarin Lutfi Haziri të cilët në mënyrë unanime e përkrahën iniciativën e AAK-së e bërë në seancën e korrikut për emërimin e autostradës “Agim Ramadani”.

Kadriu tha se është i kënaqur që dy propozimet për autostradën dhe ajo për stadiumin që është propozuar të ketë emrin e Selami Osmanit kanë gjetur përkrahje nga strukturat komunale të Gjilanit, derisa dy propozimet ishin bërë nga dega e AAK-së në Gjilan.

Në fakt Grupi i Këshilltarëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), i kishte propozuar kryetarit të komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, dhe Kuvendit të Komunës së Gjilanit, futjen në rend dite për diskutim lidhur me emërtimin e Autostradës Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë, si dhe emërtimin e stadiumit të qytetit, me propozime konkrete. 1. Autostrada Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë, është një arterie që lidhë shqiptarët ndërmjet vete, nga Lugina me Kosovën, dhe që të dyjat me Shqipërinë.

Kjo autostradë, luan rol të rëndësishëm edhe në zhvillimin ekonomik, dhe lehtëson qarkullimin e njerëzve dhe mallrave. Të gjitha autostradat në Kosovë janë të emërtuara me emra të figurave të shquara kombëtare, që i kanë dhënë shumë lirisë së Kosovës, prandaj propozojmë që Autostrada Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë, meriton të emërtohet Autostrada “ Agim Ramadani”.

Me emërtimin e autostradës me emrin e heroit të kombit “Agim Ramadani” nderojmë veprën e heroit, familjen e tij, Anamoravën, si dhe gjitha trojet shqiptare, prandaj kemi menduar se është zgjidhja e merituar dhe e duhur lidhur me emrin e propozuar. 2. Gjilani tani më po njihet edhe në arenën ndërkombëtare si qytet i sportit dhe sportdashësve dhe si komunë duke u mbështetë edhe nga organet tjera shtetërore ka nis të mendoj seriozisht edhe për sportin dhe sportistët gjilanas. Krijimi i infrastrukturës dhe terreneve sportive, është i nevojshëm dhe kërkon urgjencë për shkak të kritereve të përcaktuara edhe nga institucionet ndërkombëtare sportive.

Meqë punimet për ndërtimin e stadiumit të qytetit kanë nisur, dhe shpresojmë se shumë shpejtë edhe do të përfundojnë, mendojmë se është koha që të iniciojmë emërtimin e stadiumit të qytetit prandaj ne grupi i këshilltarëve të AAK-së propozojmë që stadium i qytetit të emërohet me emrin “Selami Osmani” – BEZI pasi që angazhimi dhe kontributi i tij dekada me radhë dhënë për sportin si dhe sportistët gjilanas e në veçanti për futbollin gjilanas është i njohur e me këtë propozim mendojmë se edhe nderojmë figurën e tij si dhe sportin gjilanas.

Andaj, kërkojmë nga Kuvendi Komunal i Gjilanit, që të miratoj këtë propozim apo iniciativë dhe ta fus në rend pune në këtë seancë, në pikën e rendit të punës në të ndryshme, në mënyrë që kryetari i komunës së Gjilanit, të procedoj më tutje këtë iniciativë krahas debateve, diskutimeve me qytetarë dhe me shoqëri civile ishte thënë në propozimin e mëhershëm të AAK-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme