Lexoni se si mendjelehti Hashim Thaçi ra në grackën e brejtjes së ndërgjegjes për Grackën dhe ai vazhdon të tallet me Republikën dhe qytetarët e saj duke i lënduar ata kolektivisht, dhe pa i bërë syri vër se dikush do t’i kërkojë llogari… Këso sjelljesh të njerëzve të veshur me pushtet duhej të ishin fyerje për inteligjencën mesatare të kosovarëve, pale për shumë shqiptarë aq “të mençur dhe qytetarë aktivë” – saqë më shumë u intereson mbajtja e Erdoganit në pushtet në Ankara sesa të zezat që po ia sjellin liderët e vet politikë!???
Gra e burra, gënjeshtarë dhe imoralë, duke i shërbyer verbërisht pushtetit ekstraktiv (përfitues) dhe personal të Hashim Thaçit – aktualisht president i vendit – e kanë rrënuar moralisht dhe kulturalisht Kosovën.
Sa për rrënimin ekonomik, breza të rinj kosovarësh që vërtet e duan këtë vend edhe mund të riparojnë diçka.
Por ngritja dhe qëndrimi në pushtet e kësaj kaste politike, përmes shantazheve, mashtrimeve dhe gënjeshtrave, përmes frikës dhe frikësimit, vrasjeve politike dhe dhunës permanente e ka shpënë shoqërinë kosovare buzë shpërbërjes, kurse shtetin kosovar ia ka hequr emrin dhe rrënuar imazhin sy bote – duke e shndërruar në një vend të pajetueshëm – të sunduar nga krimi.
Përderisa Hashim Thaçin në cilësinë e presidentit të vendit e qiti në grackë ose ndonjë idiot duke e këshilluar për keq ose brejtja e ndërgjegjes së tij dhe përligji gjuhën fashiste të kohës së Dobrica Qosiqit dhe të pasuesit të tij kryefashistit Milosheviq – në Grackë – breza të tërë do të ballafaqohen me paragjykimin e këtij krimi, sepse tutje asnjë verdikt gjyqi s’do të ketë fuqi bindëse për të vendosur ndryshe, pos të pranojë faktin e kryer: katundarët serbë janë vrarë nga pjesëtarë të terrorit shqiptar!?
Këtë e vulosi, pa asnjë hetim paraprak, krye më vete, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi!
Nderimi i fshatarëve serbë të vrarë me egërsi në Staro Gracko do të ishte një akt njerëzor, mirëpo presidenti i Kosovës, para se të përkulej tek pllaka përkujtimore atje do të duhej që:
1. Si ish-drejtor i UÇK-së dhe lider i PDK-së, si kryeministër në dy mandate, Thaçi duhej të interesohej tek organet e drejtësisë nëse janë duke bërë diçka në zbardhjen e rastit, pa dyshim krimit më të rëndë pas çlirimit të Kosovës dhe si burrë shteti duhej të zotohej për zbardhjen (hetimin) e rastit;
2. Duhej të kujdesej që në Republikën e Kosovës të mos ketë mbishkrime fyese dhe raciste për tjetri/tjetrin nga cilado palë e konfliktit kosovar – sepse nëse Thaçi e ka lexuar mirë, (ideatori ose ai që e këshilloi për shkuarjen bizare në Staro Gracko) në pllakën përkujtimore që e ka vendosur një parti serbe në Kosovë (vendosja e njëanshme e përkujtimoreve të tilla nga partitë politike (edhe nga partitë shqiptare) nuk është praktikë e mirë në shtetin modern) shkruan: “Serbëve të rënë nga terrori shiptar” – pra aty pretendohet se vrasësit dihen tashmë – pra janë “pjesë e terrorit shiptar” – sipas cilësorit racist serb ‘šiptar’ dhe këtë pandehmë (përderisa asnjë instancë hetuese dhe gjyqësore nuk e ka dhënë versionin e vet, përkatësisht verdiktin se çfarë vërtet ka ndodhur në Staro Gracko afër Lipjanit!?
Presidenti e ka pranuar tashmë si të vërtetë se këtë vrasje terroriste e paskëshin bërë shqiptarët (sa i shkretë është konstrukti që implikon tërë një komb në një krim të egër vërtet!?) ende pa u hetuar dhe pa u zbardhur rasti.
Ashiqare, presidenti kosovar e ka përligjur këtë paragjykim;
Së këndejmi, asnjë gjyq më nuk do të jetë i drejtë dhe i paanshëm edhe nëse rasti zbardhet një ditë, e shteti modern nuk mund të jetojë në paqe e solidarësi qytetare nëse nuk i zbardh krimet që kanë ndodhur kurdo, në territorin e vet sovran.
3. Presidenti është dashur të kujdesej që të mos e përligj gjuhën denigruese kundrejt NATO-s që është çlirimtari i ligjshëm dhe i vërtetë i Kosovës nga fashizmi serb duke evituar gjenocidin, sepse në pllakën përkujtimore për pesë veta thuhet të jenë viktima të “agresionit të NATO-s”!?
Përderisa në Republikën e Kosovës asnjë instancë, zyrë apo gjykatë nuk e ka cilësuar intervenimin e NATO-s kundër ish-Jugosllavisë si agresion, por si intervenim humanitar bazuar në Kreun VII të Kartës së OKB-së!?
Po të mos shfaqeshin këto anomali në aktin e presidentit, pa dyshim se ky veprim do të duhej të merrte mbështetje masive të qytetarëve të Kosovës, sepse dhembja për jetët e humbura të njerëzve të pafajshëm është ndjesi thellësisht humane.
Brejtja e ndërgjegjes apo kushedi se çfarë kalkulimi personal e ka nxitur Hashim Thaçin që pas 15 vjetësh të përkujtojë viktimat civile serbe, katundarët që u vranë mizorisht në arën e tyre, mirëpo ai nuk është përkulur asnjëherë tek varret e aktivistëve të LDK-së, të vrarë për motive politike gjatë dhe pas luftës nga eksponentë të “krahut të luftës” të cilin pretendon se e ka udhëhequr në luftë dhe pas saj vetë ai!?
D.m.th. për shqiptarët e vrarë Thaçin nuk e vret ndërgjegjja!???
Gjesti i vullnetit të mirë megjithatë i mbeti vetëm në tentativë, sepse katundarët e Staro Grackos nuk i dolën ndër sy.
Ata ia kthyen shpinën dhe presidenti u pa në një fotografi plotësisht i vetmuar dhe jashtë protokollit të shtetit, pra në një akt privat, paçka se asnjë lider politik serb ende nuk është përkulur aty ku fashistët e Milosheviqit kanë bërë masakra;
Në Reçak apo në Prekaz, në Likoshan apo Izbicë, në Qirez, Meje, Obri, Makoc… etj.
Presidenti kësaj here duhej të mjaftohej me një konferencë shtypi në të cilën do t’u zotohej familjarëve të serbëve të vrarë se vrasësit do të kapen dhe të nxirren para drejtësisë, dhe gjithqysh duhej të kërkonte si tfillim i shtendosjes dhe i unitetit të vendit, heqjen e fjalive paragjykuese e raciste për shqiptarët dhe denigruese ndaj NATO-s.
Sociologia Domenique Schnapper, në librin “Bashkësia e qytetarëve”, duke folur për unitetin në shtet, i bë përgjegjëse pakicat që ta nxisin shumicën për dialog, që forumi politik të jetë i përditshëm.
“Përgjithësisht është shumica ajo që bën përpjekjet më të mëdha për të lehtësuar lidhjet me pakicën…”
Mirëpo serbët kosovarë nuk duan ta konsiderojnë veten pakicë në Kosovë (duke e trajtuar Kosovën si pjesë të Serbisë), prandaj ata nuk ndiejnë nevojë që të aktivizohen për t’i realizuar jo vetëm të drejtat e tyre të ligjshme, kërkesat e tyre, por qëndrojnë kryesisht të palëkundur në pozicionet dhe pikëpamjet hegjemoniste dhe raciste ndaj shumicës.
Ashiqare që Kosova vazhdon të jetë një komb i pakryer, duke qenë se serbët nuk i kanë dhënë ende pëlqimin.
Schnapper, duke folur për dhënien e pëlqimit në komb ose konsensusin, mendon se kjo do të thotë që qytetarët duhet të pranojnë rregullat e hapura, të qarta, si dhe rregullat e nënkuptuara, të cilat lejojnë që të zgjidhen, të paktën përkohësisht, përplasjet dhe grindjet e tyre në mënyrë të padhunshme, nëpërmjet diskutimeve e kompromisit dhe duke pasur parasysh një interes të përgjithshëm të shpallur dhe të pranuar si të tillë nga të gjithë…
Schanpper e jep një thënie të Viktor Hygosë që thoshte se votimi i përgjithshëm duke u dhënë atyre që vuajnë një fletë votimi ua heq atyre pushkën. Duke u dhënë atyre fuqinë, u jep edhe qetësinë.”
Në këtë kontekst, serbët kosovarë kanë pranuar votimin e përgjithshëm dhe kanë lënë pushkët, mirëpo ata nuk i kanë marrë fuqitë (që u takojnë në shtetin e përbashkët) duke mos e pranuar qetësinë!?
Prandaj do të jetë shumë e vështirë që serbët e zemëruar të Staro Grackos të binden që lumturinë e tyre mund ta realizojnë në shtetin kosovar, nëse ata pranojnë rregullat e hapura në shtetin modern dhe në shoqërinë qytetare – heqjen dorë nga gjuha e urrejtjes – pra edhe heqjen e mbishkrimit në Staro Gracko, përkatësisht përdorimin e një gjuhe të pranueshme edhe për të tjerët, një gjuhe që nuk e fyen dhe denigron shumicën.
Pllaka përkujtimore në Staro Gracko duhet të mënjanohet dhe të zëvendësohet me një përkujtimore të dinjitetshme për viktimat, por të dinjitetshme edhe për shumicën, që në asnjë variant nuk është vrasëse e tyre – sepse gjithnjë në secilën shoqëri mund të gjendet një individ ose grup kriminelësh, të cilët nuk munden përjetësisht ta helmojnë shoqërinë dhe ta cenojnë shtetin si projekt të përbashkët.
Natyrisht që edhe për këtë krimi në Grackë duhet të hetohet dhe të zbardhet!
Por jo të përligjen mesazhet fashiste dhe gjuha raciste.