Në Komisionin për Buxhet dhe Transfere ka kaluar Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike, me kushtet të cilat i ka vendosur Partia Demokratike e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Deputeti i PDK-së, Bedri Hamza, ka prezantuar katër amendamente para Komisionit dhe ka kërkuar që të votohen nga anëtarët e Komisionit.
“Ne po e shohin që Ligji për Rimëkëmbje s’po mund të aprovohet. Dhe duke pasur për bazë situatën ekonomike dhe shëndetësore, ne si PDK kemi deklaruar edhe më herët që i kemi disa propozime shtesë dhe nëse merren në konsideratë dhe bëhen pjesë ne do ta mbështesim edhe në Komision edhe në lexim të dytë”, tha Hamza.
“Pako për bizneset të jetë 200 milionë euro; Pagesa për punëtorët që e kanë humbur vendin e punës me nga 300 euro; Heqja e TVSh-së për lëndën e parë dhe rimbursimi i mjeteve për 10% nga Trusit për ata që kanë deri në 10 mijë euro”.
Deputetja Mimoza-Kusari Lila ka theksuar se po bëhen pazare politike me nevojat e qytetarëve.
“Propozoj qe si temë të diskutohet e veçantë. Fatkeqësia që po ju prezantojmë qytetarëve është se nevojat e tyre po bëhen pazare politike dhe duhet me shqyrtuar me seriozitet secilin rekomandim”.
Ndërsa deputeti Gazmend Abrashi nga AAK-ja ka thënë se do t’i mbështes rekomandimet e Grupit Parlamentar të PDK-së, për Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, raporton EO.
“Jemi dëshmitarë që të hyrat e buxhetit pritet me qenë për 350 milionë më të vogla se periudha e njëjtë dhe politizimi i tipit që qytetit të Podujevës është i paarsyeshëm me përkrahjen që ky Komision duhet me na dhanë neve dhe GP-së së PDK dhe do ta votojë pro”.
Më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, Kuvendi me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kishte votuar në lexim të parë këtë Projektligj.