Kamerat e sigurisë mund ta zbulojnë se kush e braktisi një foshnjë në Vrellë të Istogut. Hoxha i fshatit, Arben Dreshaj thotë se nuk e di kush ia la beben mbi veturë. Policia dhe Prokuroria kanë nisur hetimet. Njoftohet se bebja është shëndoshë e mirë dhe po trajtohet në Qendrën e Mjekësisë Familjare.
Hoxha i fshatit Vrellë të Istogut, Arben Dreshaj shpreson se personi që e la një bebe të porsalindur mbi veturën e tij do ta zbulojnë kamerat e sigurisë që ndodhen afër xhamisë.
“Nuk e kam parë se kush e ka vendosur foshnjën. Janë disa kamera andej përreth, besojmë që me anë të tyre do të mund të identifikohet personi që e la foshnjën aty”, tregon hoxha i fshatit Vrellë.
Sot në orën 04:30 të mëngjesit, Dreshaj ka marrë rrugën me veturën e tij për në xhaminë e fshatit. Pasi e kishte përfunduar namazin, kishte dalë nga xhamia dhe kishte parë një paketë mbi veturë. Aty kishte gjetur një fëmijë të porsalindur.
“Kur dola jashtë pas faljes se namazit, e gjeta një paketë mbi veturën time. Ora ishte 5 e 15 minuta. Kur shikova në paketë ishte një foshnjë e porsalindur e mbështjellë me batanije. Gjallë ishte, frymë merrte pak zënët, por e rëndësishmja ishte gjallë”, ka thënë Hoxha, të dielën, për Express.
Lidhur me këtë është njoftuar edhe prokurori kujdestar dhe Qendra për Punë Sociale. Braktisja e fëmijëve është vepër penale dhe prindërit e bebes mund të dënohen me burgim pse s’janë përkujdesur për fëmijën e tyre.
Gjatë vitit 2015 janë braktisur 46 fëmijë, në vitin 2016 ishin braktisur 23 fëmijë, ndërsa vitin e kaluar ishin braktisur 32 fëmijë.