Kanadaja më 9 gusht hap kufirin për amerikanët e vaksinuar

Prishtinë | 20 Kor 2021 | 12:08 | Nga Ekonomia Online

Kanadaja më 9 gusht do të hapë kufirin e saj për amerikanët që janë plotësisht të vaksinuar kundër koronavirusit.

Siç njoftoi qeveria federale kanadeze, po ashtu edhe udhëtarët ndërkombëtar që kanë marrë të dy dozat e vaksinës mund të hyjnë në Kanada duke filluar nga 7 shtatori.

Qeveria po ashtu ka hequr masën e izolimit të detyruar për 14 ditë para se të vijnë në Kanada, por do t’u kërkohet testi negativ ndaj virusit COVID-19 jo më i vjetër se 72 orë.

Fëmijët nën moshën 12-vjeçare që vijnë me një prind ose kujdestar plotësisht të vaksinuar nuk do të kenë nevojë për karantinë.

Kufiri kanadez është mbyllur për të gjithë që nga muaji mars i vitit 2020, përveç udhëtimeve thelbësore. Derisa shkalla e infeksionit të virusit po shënon rënie dhe më shumë njerëz po vaksinohen, thirrjet nga këto biznese të dëmtuara nga mbyllja janë përshkallëzuar.

Biznesi i fluturimeve është mbyllur që nga marsi i vitit të kaluar dhe ishte planifikuar të rihapet më 21 korrik, por me njoftimin e fundit ai do të vazhdojë të qëndrojë i mbyllur deri më 9 gusht.

“Ky hap paraprak lejon që qeveria e Kanadasë të funksionalizojë plotësisht masat e rregulluara kufitare para 7 shtatorit të vitit 2021 dhe njeh lidhjet shumë të ngushta midis kanadezëve dhe amerikanëve”, tha qeveria kanadeze.

Ministri i Shëndetësisë, Patty Hajdu, tha se hapja pasqyron respektimin e publikut kanadez ndaj kufizimeve të virusit COVID-19 dhe rënien e rasteve.

“Kanadezët kanë punuar shumë dhe kanë sakrifikuar për njëri-tjetrin dhe për shkak të kësaj pune ne mund t’i bëjmë këto hapa të ardhshme në mënyrë të sigurt”, tha Hajdu në një njoftim me shkrim.

Disa udhëtarë do të selektohen për teste të detyrueshme të virusit kur të hyjnë në Kanada dhe fëmijët nën 12-vjeç mund të shkojnë në destinacione me të rriturit e tyre shoqërues, por ata do të duhet të qëndrojnë jashtë mjediseve të grupeve dhe kampeve ditore.

Deri më tani nuk ka pasur ndonjë prononcim nga qeveria amerikane nëse ajo ndjek të njëjtën rrugë dhe do të lejojë kanadezët plotësisht të vaksinuar të hyjnë në SHBA./AA/

Të ngjashme