Kandidatë me aktakuza dhe të konsumuar politikisht

Prishtinë | 09 Sht 2019 | 08:06 | Nga Ekonomia Online

Jo të gjitha partitë i kanë shkuar deri në fund zotimit se nuk do t’i fusin në lista për deputetë kandidatët, të cilët kanë probleme me ligjin.

Edhe pse në listat zgjedhore të partive janë përfshirë kandidatë që garojnë për herë të parë nga fusha të ndryshme, megjithatë ka të atillë mbi të cilët rëndojnë aktakuza dhe kandidatë që janë konsumuar politikisht.

Në secilën prej listave të partive prej 110 kandidatëve, më shumë se 30 prej tyre janë gra, shkruan sot Koha Ditore.

“Mendoj që në listat zgjedhore janë përfshirë një numër i konsiderueshëm i kandidatëve nga shoqëria civile, të cilët kanë bagazh intelektual dhe se përbëjnë frymë ndryshimi, megjithatë ka ende shumë kandidatë të cilët janë të konsumuar politikisht duke përfshirë disa prej tyre që kanë aktakuza nga organet gjyqësore dhe që nuk do të duhej të votoheshin nga votuesit”, ka thënë analisti Krenar Shala. Edhe pse me aktakuza partitë ende i shohin disa individë potencialë për mbledhjen e votave.

“Përvoja ka dëshmuar që përfshirja e kandidatëve me aktakuza, fatkeqësisht nuk do t’iu prishë shumë punë partive sa u përket votave”, ka shtuar Shala.

Edhe organizata të shoqërisë civile u kanë bërë thirrje partive të mos kandidojnë individë me aktakuza.

Këtë apel e kanë bërë dy organizatat e shoqërisë civile – Fondacioni Uestminister për Demokraci dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi, të cilët kanë prezantuar një raport krahasues me kandidatët me aktakuza në tri palë zgjedhjet e fundit nacionale.

Sipas raportit, në listat e kandidatëve për deputetë, në zgjedhjet e vitit 2014 ka pasur 15 persona me aktakuza, 12 prej të cilëve ishin zgjedhur deputetë. Ndërsa në zgjedhjet e 2017-s, në listat e partive kanë qenë 27 kandidatë me aktakuza, prej të cilëve 21 ishin bërë deputetë.

Të ngjashme