Kandidati i LDK-së për Kryetar të Fushë-Kosovës: Është koha të investojmë në kushte më të mira sportive

Prishtinë | 27 Sht 2025 | 12:28 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për Kryetar të Komunës së Fushë-Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Besnik Osmani, ka theksuar rëndësinë e investimeve në infrastrukturën sportive, duke u zotuar se do të punojë për krijimin e kushteve moderne për zhvillimin e talenteve të rinj.

“Fushë Kosova ka prodhuar gjithmonë sportistë të talentuar, të cilët kanë shkëlqyer jo vetëm në vendin tonë, por edhe në mbarë botën. Kjo është dëshmi e potencialit të madh që e ka rinia jonë,” ka deklaruar kandidati, duke vënë theksin tek tradita sportive që e karakterizon këtë komunë.

Ai ka nënvizuar se është momenti për të ndërtuar dhe modernizuar hapësirat sportive, me qëllim që t’u ofrohen mundësi më të mira brezave të ardhshëm.

“Prandaj, është koha të investojmë në kushte më të mira sportive – stadiume dhe fusha moderne, të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin dhe suksesin e sportistëve të ardhshëm,” ka shtuar ai.

Sipas tij, sporti nuk është vetëm aktivitet fizik, por një element që ndërton karakterin dhe sjell krenari për komunitetin.

“Sporti është krenaria jonë, dhe ne do të krijojmë hapësirat që gjeneratat e reja të ecin edhe më larg!”, përfundoi ai.

Platforma e tij zgjedhore parashikon një qasje të re ndaj zhvillimit të sportit lokal, me fokus në përfshirjen e të rinjve, ndërtimin e infrastrukturës moderne dhe partneritete me klubet dhe organizatat sportive.

Të ngjashme