Kandidati i PDK-së për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani ka thënë se do ta respektojnë vendimin e Supremes nëse vendosë në favor të LDK-së për votat e diasporës.
Shabani ka thënë se është e palogjikshme që të mos i respektojë vendimet e institucioneve gjyqësore.
“Ne kur e kemi dorëzuar ankesën e kemi bërë publike se do t’u drejtohemi institucioneve. Çdo vendim i PZAP-së len të drejtën për drejtim të Supremja, nëse ajo vendos ndryshe patjetër se do ta respektojmë. Nuk është e logjikshme që unë të mos i përfilli vendimet e institucionit. Kur të shteren të gjitha mundësitë, nëse vendimi përfundimtar është se kandidati i LDK-së do të certifikohet si fitues i zgjedhjeve atëherë për ne do të jetë i pranueshëm”, ka thënë Shabani në Interaktiv të KTV-së.
Sot KQZ-ja s’e ka përfshirë rezultatin në komunën e Dragashit në shpalljen përfundimtare të zgjedhjeve të balotazhit të 14 nëntorit, kjo pasi Supremja do të vendosë për ankesën e LDK-së që votat e diasporës të përfshihen në rezultat, pasi PZAP-ja vendosi të mos e bëjë këtë.