Ndonëse ka mbetur edhe 24 orë nga zyrtarizimi i kandidaturave për zgjedhjet komunale, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ende nuk e ka bërë publik emrin e atij që synon ta drejtojë Prishtinën.
Në rrethin e ngushtë të diskutimeve për këtë emër, kanë mbetur ish kryetari i Prishtinës, Ismet Beqiri dhe ish ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, njëherësh deputet i kësaj legjislature, shkruan “Telegrafi”.
Sipas burimeve të “Telegrafit”, është insistimi i Beqirit, që ka bërë që partia e Mustafës të mos dalë ende me emër për kandidatin e tyre për kryetar të Prishtinës.
Ndryshe, emra të përfolur për garën e 22 tetorit, janë përmendur edhe deputetët Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku.