Me fitoren e PDK-së në Mitrovicë, do të rinisë procesi i rindërtimit të shtëpive në veri të Mitrovicës për banorët e dëbuar nga atje. Kështu premtoi kandidatja e PDK-së për kryetare të Komunës së Mitrovicës, Valdete Idrizi, në takim me banorët e Suhodollit, në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale të 22 tetorit.
Ajo tha se do të tejkalohen barrierat e krijuara dhe në bashkëpunim me strukturat legale në veri të vazhdoj procesi i rindërtimit që ishte ndërprerë në mandatin e fundit qeverisës në Mitrovicë. “Ju jeni dëshmitarët më të mirë që mund ta bëni dallimin ndërmjet atyre që flasin dhe atyre që punojnë”, tha ajo.
Sipas saj, në programin për qeverisje në mandatin 2017-2021 planifikohet të gjenden fonde për rindërtimin e 300 shtëpive në lagjet e veriut, në mënyrë që banorët të mund të kthehen në shtëpitë e veta. “Nëse ka vendosmëri dhe bashkëpunim, patjetër se procesi i rindërtimit do të mund të rifilloj dhe të zhvillohet ashtu siç ka qenë dikur duke bërë të mundshme kthimin e jetës për shumë lagje të veriut”.
Në takim me banorët e Suhodollit, kryetari i Degës së PDK-së në Mitrovicë, Avni Kastrati, ua përkujtoi atyre se përveç rindërtimit të 200 shtëpive, në veri ishin bërë shumë investime edhe në infrastukturë. “Ju jeni dëshmitar si ka qenë Kroi i Vitakut, Lagja e Doktorëve dhe shumë mjedise tjera në këtë pjesë të Kosovës. Janë ndërtuar rrugë, ujësjellës, ndriçime, kanalizime dhe është rikthyer jeta aty ku gjithçka kishte qenë e shkatërruar. Fatkeqësisht situata ka stagnuar në mandatin e fundit dhe asnjë tullë nuk është vënë në veri, mirëpo kjo do të ndryshoj me fitoren e PDK-së dhe Valdete Idrizit dhe me mbështetjen tuaj”.
Kastrati ua përkujtoi banorëve të Suhodollit edhe projektin për Liqenin artificial në Ibër që tashmëështë kryer. “Kur e kemi filluar shumë kujt ju është dukur utopi, por tash është realitet. Realitet do të bëhet edhe projekti i PDK-së për rregullimin e shtratit të lumit Ibër dhe brigjeve skaj tij prej kolegjit SPARK e deri në Çabër”.
Ndryshe në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, kandidatja e PDK-së, Valdete Idrizi, ka zhvilluar një takim edhe me banorët e Urës së Gjakut.