Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka zyrtarizuar Ramiz Lladrovcin, ambasador i Kosovës në Shqipëri, kandidat për kryetar të Drenasit.
Menjëherë pas nominimit, Lladrovci ka dhënë dorëheqje nga posti i ambasadorit të Kosovës në Tiranë, ndërsa në Drenas kanë filluar pakënaqësitë, duke e konsideruar nominimin e Lladrovcit si politik dhe të dhunshëm.
Ndërkaq në një letër drejtuar presidentit Hashim Thaçi dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, Lladrovci ka ofruar dorëheqjen e tij, siç ka thënë ai, “për shkak se është nominuar për postin e kryetarit të Drenasit”.
“Dorëheqja ime sot vjen menjëherë pasi Partia Demokratike e Kosovës e gjeti të arsyeshme të më kandidoj në vendlindjen time, në Drenas, për të vazhduar punën e suksesshme të pararendësve të mi në këtë detyrë. Të jeni të bindur se, duke besuar në verdiktin e popullit të zonës sonë, nëse do të gjej të arsyeshme staturën time politike për ta mbështetur atë, e gjithë puna dhe veprimtaria ime do të jetë e përqendruar në prosperitetin dhe begatinë e banorëve të vendlindjes sime, njëra nga zonat më të spikatura për atdhedashuri, punë dhe përkushtim”, ka thënë mes tjerash Lladrovci në letërdorëheqjen e tij.
Por zyrtarizimi i Lladrovcit për karrigen e të parit të Drenasit nuk i ka pëlqyer fare kryesuesit të Kuvendit të Drenasit, Naim Bazaj, i cili shihej si kandidati më serioz i PDK-së për ta zëvendësuar Nexhat Demakun, pas dorëheqjes së tij.
Madje, nominimi i Lladrovcit ka shfaqur pakënaqësi edhe tek anëtarësia.
Vetë Bazaj ka thënë se zarfin me emrin e Ramiz Lladrovcit, të cilin shefi i partisë së tij, Kadri Veseli e kishte sjellë në Drenas, i “ngjason kohës së Rankoviqit”. (Gazeta Zeri)