Një person nga fshati Bibaj i Komunës së Ferizajt është arrestuar nën dyshimin e falsifikimit të parave. Madje ai është kapur në flagrancë nga Policia, duke iu gjetur rreth 700 euro të falsifikuara.
Falsifikatori monedhave 20 euroshe, 10 euroshe e 5 euroshe , kë vë në qarkullim paratë dhe ka arritur të mashtrojë gjashtë persona të cilët kanë iniciuar rastin.
Siç theksohet në raportin 24 orësh të Policisë, Njësiti i hetimeve pas një pune operativo-hetimore me urdhëresë të lëshuar nga gjykata ka bastisur shtëpinë e të dyshuarit mashkull k/shqiptar, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën e cekur më lartë, raporton Ekonomia Online.
“Gjatë bastisjes janë gjetur dhe konfiskuar monedha 32 x 20 €, 5 x 10 € dhe 1 x 5 €, një llap top me ngjyrë, mjete të nevojshme për prerje, skalper, brisk, gërshërë, izolator, letër foli, një vulë për vendosjen e datës, një shirit foli, një maskë plastike”.
“I dyshuari është arrestuar dhe gjatë intervistimit ka pranuar se në bashkëpunim me një të dyshuar tjetër mashkull k/shqiptar i cili gjendet në arrati, ka vënë në qarkullim paratë të cilat i ka prodhuar vetë dhe se ka mashtruar 6 viktima (5 meshkuj dhe një femër k-shqiptare) për të cilët janë iniciuar raste”, thuhet në raportin e Policisë.
Po ashtu, sipas Policisë, i dyshuari ka deklaruar se ka vënë në qarkullim paratë e falsifikuara edhe në shumë qytete të Kosovës dhe jashtë vendit, si në Shqipëri dhe Serbi.
Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.