Policia shqiptare ka sqaruar se lidhur me lajmin e publikuar në mediat italiane dhe me pas nga mediat shqiptare për një gomone të dyshimtë e cila ishte hetuar nga autoritetet kroate janë arrestuar dy shtetas shqiptarë me 1700 kg kanabis.
“Gomonia është sinjalizuar fillimisht nga Policia Kroate si e dyshuar në dalje nga ujërat e tyre territoriale. Qendra Kombëtare e Koordinimit (NCC) kroate dje rreth orës 22:30 ka njoftuar NCC italiane për një mjet të dyshimtë në dalje nga ujërat kroate”.
“Gomonia është pikasur nga Guardia di Finanza në zonën e Viestes në të njëjtin drejtim të ujërave kroate. Ne bordin e mjetit janë kapur 2 shtetas shqiptarë, A.L. 38 vjeç dhe A.A 36 vjeç, si dhe u sekuestrua rreth 1.700 kg kanabis” , ka bërë të ditur policia.
“Mjeti detar sipas hetimeve të deritanishme, nga policitë e vendeve partnere, nuk është nisur nga brigjet shqiptare. Megjithatë Policia e Shtetit po vijon shkëmbimin e informacionit me agjencitë partnere për të hetuar mbi lidhjet e të ndaluarve si të përfshirë në këtë veprimtari kriminale”, thuhet në njoftimin e policisë.