Kapiteni i Liverpoolit, Jordan Henderson, insiston se skuadra e tij do të ketë konkurrencë jo vetëm nga kampioni në fuqi, Manchester City, gjatë sezonit të ri, 2019/20, të Premierligës.
“The Reds” garuan me Manchester Cityn për titullin e Premierligës deri në xhiron e fundit të sezonin, mirëpo, në fund, skuadra e Pep Guardiola e mbrojti titullin e kampionit të Anglisë për vetëm një pikë më shumë të grumbulluar.
Liverpooli u kthye fuqishëm pas këtij dështimi, duke e fituar për herë të gjashtë në histori trofeun e Ligës së Kampionëve. Pikërisht këto dy skuadra janë favorite për titullin e ligës angleze dhe për sezonin e ardhshëm.
Lufta mes Manchester Cityt dhe Liverpoolit do të fillojë qysh këtë të diel, kur dy skuadrat do të përballen në kuadër të Community Shield. Megjithatë, Henderson nuk beson se Liverpooli nuk duhet t’i nënvlerësojë skuadrat e tjera.
“Të gjithë do të flasin për Liverpoolin dhe Manchester Cityn sepse ata e fituan ligën dhe ishin shumë të mirë, ndërsa ne e fituam Ligën e Kampionëve. Është e lehtë ta bësh një deklaratë të tillë”, tha mesfushori anglez.
“Ju duhet t’i shikoni edhe skuadrat e tjera. Ata do të përmirësohen. Ka më shumë skuadra sesa veten ne dhe Manchester City që do të garojnë”.
“Por, ti duhet t’i respektosh ata shumë për triumfin në Premierligë dy herë radhazi. Kjo gjë është shumë e vështirë për t’u arritur. Ata vazhdojnë ta ngrenë standardin dhe vazhdojnë të përmirësohen me skuadrën që e kanë”.
“Kështu që edhe ne duhet ta bëjmë të njëjtën dhe mendoj se do ta bëjmë. Lojtarët janë të uritur. Ata duan më shumë. Ata duan të vazhdojnë të punojnë shumë dhe trajneri do të sigurohet për këtë gjë”.
“Ne kemi lojtarë të mrekullueshëm me përvojë në skuadrën tonë. Ne duhet të përqendrohemi në atë që e kemi përpara vetes dhe të vazhdojmë të sfidojmë për të fituar trofe”.