Kaq shumë liderthë

Prishtinë | 27 Maj 2017 | 15:32 | Nga

Rutinën e agjendës së temave në Kosovë thuajse prore e prish paraqitja e liderthëve, të cilët më zë shpërthejnë në kohë krize, dalin nga anonimiteti, bëjnë emër dhe fascinojnë së pari veten e familjen, po jo rrallë edhe tmerrojnë opinion publik.
Vetëm në këto 20 vjet qindra liderthë, pa ndonjë arsye apo risi, kanë dalë me mendime dhe kërkesa nga më të ndryshmet dhe pastaj ose kanë tretur ngadalë ose janë ”krehur” përnjëherë duke lënë mbas probleme, konflikte dhe trazime që duan kohë e mund për t’i kapërcyer. Pse dalin kaq shpejtë liderthët? Është toka, ajëri apo qytetari që favorizon lulëzimin e këtij profili publik?

Duke menduar për temën e liderthëve, më ra ndërmend qasja antroplogjike e Goffmanit për rolet që luajnë njerëzit në këtë botën tonë. Ai thoshte se njerëzit performojnë role në situata të ndryshme shoqërore, me sjelljet e tyre tërheqin vërejtjen dhe kureshtjen e të tjerëve, tregojnë ego-identitetin e tyre si proces interaktiv dhe dinamik dmth. se udhëtojnë duke kërkuar të gjejnë për veten e tyre dhe “të tjerët” atribute të reja që nuk i kanë pasur dhe as nuk i kanë. Shumë nga këta njerëz që i kërkojnë këto atribute të munguara as që do t’i gjejnë ndonjëherë, por e mira e tyre është se ata nuk ndalen së kërkuari dhe këmbëngulin duke mos pasur dije për “vetëmashtrimin e ëmbël” . Ata mjaftohen, nëse mbërrijnë që t’u pranohen përpjekjet dhe mundi i tyre nga autoriteti. Pra, ky autoriteti, në Kosovë është pikërisht liderthi, ai që ka dhjetëra vjet, del, duket dhe zhduket pastaj, pa marrë një përgjegjësi të vetme për mashtrimin e madh publik. Qytetari në këso raste, është i amnistuar të mendojë, mbasi për te mendon liderthi. Ai duhet ta ndjekë besnikërisht. Do kujtuar sa njeriu shkon mbas fjalimeve patetike e të papeshuara, brohorit dhe mahnitet, e në fund kthen në shtëpinë e tij fare i zhgënjyer, me pyetjen: Ku isha dhe çfarë bëra? Kush ishte ai njeri që unë iu qepa me mendje e shpirt?

Vërtetë kush mund të jetë ky njeri, i cili fuqishëm urdhëron dhe mbërrin të mobilizojë aq shumë energji të pavërejtshme? Për të sqaruar këtë dilemë do referohem mendimit të Robert M. MacIver, se personi që urdhëron mund të mos jetë më i mençuri, më i afti, në asnjë kuptim më i mirë se sa partnerët e tij mesatarë. Nganjëherë, në ndonjë standard të brendshëm, ai madje është inferior ndaj tyre. Por, e ndihmon magjia e qeverisjes. Pra, magjia e qeverisjes është busolla për të orientuar masën kah qëllimi i papërcaktuar shpesh, dhe pa pasur që më parë ndonjë ide se cilat mjete do të përdoren deri në atë pikën e fundit të cakut, të shpeshtën, të paarritshme. Sa herë qytetari ynë është kthyer i zhgënjyer, pa mundur të dijë as edhe arsyen pse ishte mashtruar dhe nënshtruar nga liderthi. Ai është misterioz, magjik dhe e ruan anonimitetin për t’mos u deshifruar me pamjen dhe potencialin e tij të vërtet etik dhe profesional.

Magjia, në fakt, është mistifikimi i reales. Autoriteti-autoritari, misionari pra, mistifikon pamjen, ambientin, duke organizuar e dizejnuar kinse spontanisht ceremoni impulsive të ithtarëve për të dhënë nga aty mesazhe të mëdha, historike, të tilla që nxisin, mobilizojnë, emocionojnë, magjepsin duke arritur kështu qëllimin, përkatësisht, instrumentalizmin e qytetarit. Këtë e kemi parë dhe vazhdojmë të shohim edhe sot e kësaj dite. Bëhen manifestime populliste nga liderthë e njerëz anonimë, që nuk e vënë në qendër problemin e hallin e qytetarit, apo temën që e proklamojnë, por egon dhe mundësisht,sprovën e karizmës së tyre. Ky proces sprovimi krijon klimën e rritjes së konfuzionit, mistifikimin e thellë dhe indoktrinimin e gjerë, sa grupe të të indoktrinuarish përfshihen nga ekstaza dhe mrekullimi me liderthin “karizmatik”. Është pra fjala për autoritetin karizmatik, i cili nuk do as vetë të mbetet vetëm autoritet (moral, fjala vjen), por do të jetë lidership, udhëheqës, urdhërdhënës. Në një proces krize demokracie nuk hetohet edhe aq dallimi ndërmjet lidershipit dhe autoritetit, mbasi ka aq shumë liderth pa autoritet dhe liderth pa karizmë sa duket përzierja t’i bëjë të padallueshëm këto të dy. Për të pasur një mendim më të plotë për karizmën, do të ndihmojë shumë qasja e Weberit, megjithëse e shkruar për një shoqëri dhe kohë fare tjetër. Karizma, sipas tij, në kuptimin etimologjik , nuk është gjë tjetër veçse një dhunti, aftësi dhe pasuesit e një lideri karizmatik i dedikojnë atij forcën hyjnore, duke u stimuluar nga ajo forcë dhe gjithnjë, pa asnjë dilemë, arsyetojnë të gjitha veprimet e tij, qofshin ato edhe joracionale dhe madje në kundërshtim me ligjin. Liderthi në sytë e ithtarëve të tij, pra është i pagabueshëm dhe ndonjë dialog me argumente për një problem të madh, nuk ka fare peshë, mbasi ai nuk dëgjohet dhe as dëshirohet të dëgjohet. Argumenti është vetë liderthi që ka marr rolin jetik me të vërtetën e vetme që e disponon ai dhe askush tjetër.

Autoriteti në Kosovë kryesisht legjitimohet nga vetimponimi, me “guxim e trimëri”, dhe jo me racion dhe vizion. Zëri i fuqishëm, pa sens racional, dhe pamja acaruese e tij, megjithëse prore në të parë anonime, u imponohet grupeve të organizuara (qoftë edhe shoqatave etj.). Lideri është në orën e tij kur gjendet para pasusëve, para “të vetëve” dhe dekurajohet kur gjendet përpara një grupi, bashkësie, komuniteti të pakontrolluar, pra para”jo të vetëve”. Prandaj ai do të mbetet vetëm në “oborrin” që e ka uzurpuar, është pra i besnikëve të tij dhe e thotë hapur, se tashmë i përket vetëm atij dhe ndjekësve të tij syverbër. Kështu, kur mungon autoriteti i ligjshëm, autoriteti i paligjshëm bëhet ende më i paligjshëm, misioni vetë.


Liderthin e bën të kënaqur mendja dhe hija e tij, ora e delirit kur ai u drejtohet besnikëve të nënshtruar. Ai jeton për këtë çast kur edhe mediat e marrin dhe e plasojnë zërin dhe pamjen e tij. Kjo është një arsye e mjaftueshme që ai të gjykojë se është për t’i qeverisur përmes ”të tijve” një ditë edhe ”ata të tjerët” që nuk janë me ”të tij”. Liderthi ka parasysh se një pjesë e ndjekësve nuk kanë optimumin socio-ekonomik. Andaj ata na thërrasin të mbështesim “kujtesën progresive”, e kuptuar si një harresë e përvojave personale dhe lartësim i përvojës kolektive?
Pra, këshillohet të shihet nga tradita impresionuese, injoranca aktive, duke identifikuar të ardhmen me të ardhmen e liderit lidership. Liderthi autoritar po rritet. Qytetari, është e domsodshme sipas tij, të jetë i entuziazmuar dhe i kënaqur me lirinë, të mirat që po sjell ai dhe nuk do t’i sillte askush tjetër. E qytetari fatkeq me kaq tema të mëdha e probleme personale: Heronj e heronj, Intelektual e Mendjendritur, Komb i bashkuar, Fe shtetërore, Armiq të jashtëm kudo, Globalizëm etj. . Asnjë fjalë, në asnjë institucion, nga asnjë lider e liderth, për fatkeqësinë nartyrore, shkatërrimin e pemëve në lule, pra miliona dëme, vdekjen masive të familjeve të bletëve… Kjo është temë e vogël!

Nga ky presion persistent publik me tema që nuk janë interes themelor i qytetarit, ai pra qytetari, ikën në azil, provon të gjejë strehë në botën virtuele. Në fund të fundit, edhe qytetari ëndërron avanturat, atraksionet dhe ato i gjen në teleseritë latino-amerikane dhe turke. Tek emrat tashmë të familjarizuar të teleserive, fatbardhësitë dhe fatkeqësitë e tyre. U mjafton identifikimi virtuel për të shtensionuar emocionet. Po Ai që do të jetë i pari nuk do t’i amnistojë nëse nuk paraqiten atje ku zëri i tij i thërret (kombi, feja, atdheu, integrimi evropian, reciprociteti etj.). Temat për çështje të tilla kaq të mëdha japin mundësinë për manipulime dhe mashtrime të mëdha, dhe aty liderthi duket me rol të pazëvendësueshëm.
Teleseritë andaj janë aq të shikuara dhe duhet trajtuar si interes nacional se lirojnë qytetarin nga temat e mëdha që nuk mund t’i zgjidhë ai! E destresojnë. Qytetari është i amnistuar.

Liderthi synues nuk i pushon aventurat, atraksionet, premtimet, të cilat ia ka caktuar koha dhe fati t’i bëj në një hapësirë të pakufizuar reale, ndërkohë që qytetari, sërish rekomandohet të mos heq dorë nga kujtesa progresive. Është, përvoja, tradita dhe kultura mistifikuese, ”e të parit”, e cila nis të veprojë herë me racion e përvojë tradicionale dhe herë –herë me impulse emocionale ”moderne”. Nuk është fjala për ndërrim të identitetit (individual-kolektiv), por për një këmbim vlerash të identietit, një koincidim ky me konceptin filozofik të Marcuses. Ai gjykonte se shoqëria e konsumit krijon nevoja falso, të cilat pastaj qytetarit ia transformojnë dhe zhvendosin identitetin e tij privat. Këtë zhvendosje do ta kapë pikërisht autoriteti-lider që është duke u forcuar. Dhe nuk duhet hequr nga mendja se autoriteti (i rrugës), në kuptimin e ngushtë të fjalës, është një fenomen politik. Pra, nuk dmth se autoriteti paraqitet vetëm në organizata politike, po edhe në organizime, për të cilat thonë jo rrallë se nuk kanë asgjë të përbashkët me politikën, madje janë krejtësisht jopolitike.

Kaq shumë liderthë odash dhe kafenesh baresh e sheshesh e rrugësh dhe kaq shumë probleme sociale, politike, kulturore, ekonomike. Kaq pak liderë institucionesh shkencore, kulturore, politike, ekonomike dhe po kaq shumë probleme që presin zgjidhje. Kaq shumë liderthë! Liderthët nuk janë për t’i zgjidhur, ata janë për t’i shtuar problemet. A autoriteti dhe influenca e tyre nuk krijohet me atribute dhe kompetencë siç ngjet në shoqëritë demokratike dhe autoriteti i tyre nuk ka të bëjë me karizmën, por me lidership. Liderthi do pushtet politik për të treguar se është gjallë, është një “kryeplak” që do rrëtë rolin e shpëtimtarit “të familjes së rrezikuar”.

Në fund të fundit, liderthët janë nusprodukte krize, por qytetari e ka përpara zgjidhjen. Asnjëri nuk është i detyruar të pasojë një liderth pa vullnetin e tij. Është zgjidhja nëse do qytetari të heq dorë prej identitetit personal për të kënaqur autoritetin-liderth që është nisur dikund dhe nuk ka ndonjë përgjegjësi se ku do të mbërrijë, duke tërhequr mbas edhe besnikët e tij. Dikund, megjithatë, por më e mundshmja, në askund.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme