Portieri i Liverpoolit, Loris Karius, ka pranuar fajin për humbjen e ekipit të tij 3-1 ndaj Real Madridit në finalen e Champions Leagues ku ai bëri dy gabime të pafalshme që përfunduan në gola.
Gjermani ia dhuroi golin e parë Realit në minutën ‘51 kur, duke u ngutur që të nis sulmin, e hodhi topin para sulmuesit të Realit, Karim Benzema, i cili zgjati këmbën dhe ktheu topin në rrjetë.
Karius, 24 vjeç, bëri gabim edhe në golin e tretë të Realit kur Gareth Bale çoi një goditje prej së largu, goditje e cila kaloi përmes duarve të portierit të Liverpoolit dhe përfundoi sërish në rrjetë.
“Nuk po ndjej asgjë momentalisht. Sot ia humba ekipit tim ndeshjen dhe më vjen keq për të gjithë”, tha Karius, raporton Reuters.
“Më vjen keq nga të gjithë – nga ekipi, nga i tërë klubi – se gabimet kushtuan shumë. Nëse do të mund të kthehesha në kohë, do të kthehesha. Më vjen keq për ekipin tim. E di se i kam zhgënjyer sot”.
“Këto gola na kushtuan me titull, faktikisht. Është shumë e vështirë momentalisht por kjo është jeta e një portieri. Duhet të ecësh sërish me kokën lartë”, tha ai.
Kariusi qëndroi i shtrirë me fytyrë për toke në përfundim të ndeshjes para se të ngushëllohej nga kundërshtarët e tij. Ai tha se bashkëlojtarët e tij tentuan t’ia ngritin moralin në dhomën e zhveshjes.
“Natyrisht se të gjithë donin të më bënin të buzëqeshur – por gjithandej kishte qetësi sepse të gjithë ishin vërtetë të zhgënjyer”, tha ai.
Ndonëse pranoi gabimet, Kloppi tha se ka simpati të madhe për portierin që e mori nga ish-klubi i tij Mainz.
“Çfarë të them? Lorisi e di, të gjithë e dinë. Është turp në një ndeshje si kjo dhe pas një sezoni të këtillë. Vërtet ndjej për të; është djalë i mrekullueshëm”, tha Kloppi.
Ish-kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard, fitues i Ligës së Kampionëve më 2005, tha për BT Sport se Kariusi e humbi qetësinë pas golit të parë.