E projektuar për një “jetëgjatësi të pafundme”, ndërtesa është fundosur 130 metra nën tokë të ngrirë në Platåfjellet (Mount Plateau), dhe është gjithashtu 130 metra mbi nivelin e detit, me qëllimin që t’i mbijetojë edhe ndryshimeve klimatike më të këqija. Vendi i hyrjes ka një vepër arti mbi çatinë e tij, që përdor trekëndësha çeliku, pasqyra dhe prizma, për të reflektuar dritën e diellit dhe dëborën, me efekte marramendëse.
Kjo hyrje si nga një tjetër botë, rreth 1300 kilometra në veri të Rrethit të Arktikut, nuk të jep asnjë ide se sa shumë kasaforta të nëndheshme fsheh. Një tub gjigant çeliku shkon që nga hyrja deri 100 metra nën mal, për tek tre kasafortat gjigante në shkëmb, aty ku janë depozituar kopje të të gjithë farërave që ekzistojnë në Tokë.
Sipërfaqja totale e vendit – që mund të mbajë deri 5 milionë farëra – është 1000 metra katrorë dhe nuk është nga ai lloj vendi ku do të doje të punoje, teksa pajisjet ftohëse e mbajnë gjithmonë në temperaturën minus 18 gradë celsius.
Zyrtarisht e hapur në 2008, Kasaforta e Farërave Globale e Svalvbardit tani mban farërat e më shumë se 4000 specieve dhe bimëve, duke përfshirë edhe gjithë llojet e drithërave. Të gjithë mostrat janë kopje të atyre që ndodhen në banka të tjera gjenesh nëpër botë. Dhe ato mbeten në pronësi të bankave të gjeneve që i depozitojnë në kasafortën super të sigurt.
Këto kasaforta të fshehta dhe të ngrira i mbajnë kopjet e tyre, me qëllim që varietete të ndryshme bimësh të mund të rikrijohen, nëse do të jetë e nevojshme pas ndonjë krize lokale apo ndërkombëtare (apo fatkeqësi apokaliptike).