Analisti politik Afrim Kasolli vlerësoi se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mund ta çojë vendin në zgjedhje për shkak të zotimeve ndërkombëtare që ka marrë Kosova, ndërsa çështja e zgjedhjes së presidentit mund të përdoret si pretekst për të justifikuar shkuarjen në zgjedhje, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se kjo lidhet me tema që mund të jenë ekskluzivisht ndërkombëtare dhe që ende nuk janë bërë të qarta për publikun, duke shtuar se mund të ketë frikë ose kalkulime politike nga ana e partisë fituese të zgjedhjeve përballë presionit ndërkombëtar në raport me zotimet e marra në procesin e dialogut me Brukselin.
Kasolli theksoi se edhe tema e presidentit mund të shërbejë vetëm si justifikim për të shmangur përballjen me këto obligime ndërkombëtare, duke vlerësuar se detyrimet e Kosovës në këtë drejtim mbeten imperative si për Bashkimin Evropian ashtu edhe pas inkorporimit në ligjin amerikan.
“A është më shumë e interesuar që t’i krijojë institucionet apo ta çojë vendin përsëri në zgjedhje në mënyrë që të shfajësohet edhe njëherë para opinionit publik apo ta kultivojë rolin më tepër, të themi, të viktimës se, si e tillë, po pengohet e po penalizohet nga subjektet tjera politike me qëllim të krijimit të institucioneve”, tha ai.
E nëse vec shkohet në zgjedhje, Kasolli e vlerëson si cështja e presidentit është vetëm një arsyetim.
“Dhe kjo ka të bëjë me tema ekskluzivisht mbase ndërkombëtare, që ende nuk janë bërë të qarta. Mund të ketë, mund të kenë frikë, mund të kenë kalkulime të partisë fituese të zgjedhjeve se mund të përballet me presion ndërkombëtar sa i përket zotimeve që ka marrë në procesin e dialogut me Brukselin. Dhe me qëllim që të shtyhet gjithnjë e më tepër, do të thotë, me qëllim që të blehet kohë në këtë drejtim, nuk përjashtohet mundësia që të shkohet në zgjedhje. Por jo për arsye të brendshme. Prapë po e them, nëse shkohet në zgjedhje, edhe tema e presidentit mund të jetë vetëm si pretekst që të shmanget gjithnjë e më tepër ballafaqimi me këto obligime ndërkombëtare në drejtim të zbatimit të detyrimeve të marrëveshjes së Brukselit. Sepse është e qartë tashmë, si për Brukselin ashtu pas inkorporimit në ligjin e mbrojtjes së shteteve të bashkuara të Amerikës, detyrimi i Kosovës për t’i zbatuar këto obligime mbetet imperativ dhe nuk ka hapësirë për shumë ekuivoke”, tha ai.
Analisti shtoi se, në aspektin e deklarimeve publike, subjektet politike kanë shprehur gatishmëri për të kërkuar një emër konsensual për pozitën e presidentit, përfshirë Lëvizjen Vetëvendosje, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës, ndërsa kryeministri në detyrë ka deklaruar se është i gatshëm të bashkëpunojë me opozitën në këtë proces.
“Po, dëgjo, aktualisht ne tash duhet t’i referohemi vetëm zotimeve publike, deklarimeve publike që këtu subjekte politike kanë dhënë. Ajo që mund të jetë në prapaskenë, e që i takon dimensionit okult, është vështirë të interpretohet për analiza publike. Si Lëvizja Vetëvendosje, ashtu edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, por edhe Partia Demokratike e Kosovës, publikisht kanë deklaruar se kanë vullnet politik në kërkim të një emri konsensual për pozitën e presidentit. Madje, vetë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, disa herë është zotuar se ka interes të diskutojë e të bashkëpunojë me opozitën në kërkim të një emri për pozitën e presidentit. Mirëpo, ka lënë të nënkuptohet se mbarë opozita ka ndërruar qasje ndaj partisë fituese të zgjedhjeve”, tha ai.
Ai përmendi gjithashtu se edhe LDK-ja nuk e ka përjashtuar një marrëveshje të tillë dhe se kryetari i saj është shprehur i gatshëm për bisedime, duke theksuar se ky subjekt nuk synon bllokadë në konstituimin e institucioneve të reja, por se mungesa e detajeve dhe tensionet eventuale rreth emrave konkretë mund ta zvarrisin procesin.
“Po ashtu edhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e ka përjashtuar kategorikisht një gjë të tillë. Vetë kryetari i këtij subjekti politik, pas konfirmimit se mund ta vazhdojë mandatin si drejtues i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka deklaruar se është i gatshëm të ulet e të bisedojë për pozitën e presidentit dhe se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të shndërrohet në bllokadë sa i përket konstituimit të organeve të reja të dala nga zgjedhjet e 28 dhjetorit. Pra, parimisht në aspektin e deklarimeve publike, ka zotime, ka deklarime të këtilla që të gjitha subjektet janë të gatshme ta kërkojnë një alternativë, mirëpo mungojnë detaje dhe mbetet të shihet se mbase në rrugë e sipër mund të lindin tensione për emra të përveçëm dhe të mos gjendet, të mos zhbllokohet procesi”, tha ai.
Kasolli vlerësoi se, përveç çështjes së presidentit, edhe aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për pozitën e nënkryetarit të komunitetit serb mbetet një tjetër faktor që mund ta mbajë të bllokuar vendin, ndërsa gjithçka do të varet nga kalkulimet politike të partisë fituese të zgjedhjeve lidhur me krijimin e institucioneve të reja apo shkuarjen në zgjedhje.
“Dëgjo, kjo është njëra prej, është e vetmja çështje e cila mund ta çojë vendin përsëri në zgjedhje, pa përjashtuar edhe temën tjetër që u hap sa i përket aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ja njeh të drejtën e pozitës së nënkryetarit të komunitetit serb partisë fituese të zgjedhjeve në kuadër të këtij komuniteti. Pra, janë këto dy çështje kryesore, kruciale, me të cilat realisht mund ta mbajnë të bllokuar vendin dhe mund të shkohet në zgjedhje. Nuk ka, në aspektin tjetër procedural, nuk ka çështje të tjera. Do të thotë, partia fituese e zgjedhjeve me një lehtësi të thjeshtë politike mund t’i sigurojë numrat si për votim të qeverisë, konstituim të kuvendit e të tjera e të tjera. Dhe tash varet se cilat janë kalkulimet e subjekteve politike, në këtë rast të Lëvizjes Vetëvendosje”, tha ai.
