Kastrati kallëzim penal ndaj zyrtarit të MASHT-it, Alush Istogu

Prishtinë | 20 Shk 2020 | 20:18 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Kamenicës Qëndron Kastrati, ka bërë kallëzim penal ndaj drejtorit të Departamentit për Arsim Parauniversitar i Ministrisë së Arsimit, Alush Istogu.

Këtë e ka bërë te ditur përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook.

Kastrati ka bërë të ditur se kallëzimi penal ka ardhur pas tentativave të Istogut për të penguar reformat në arsimin në Kamenicë.

“Për të realizuar reformën në Kamenicë jemi nisur nga përgjegjësitë ligjore, obligimet institucionale e interesi i përgjithshëm shoqëror që na udhëheqë, por asnjëherë s’i kemi përjashtuar konsultimet me palët e tjera të interesit siç është Ministria e Arsimit. Gjatë këtij procesi, fatkeqësisht, ka pasur edhe tentativa për pengim, për motive të pashpjegueshme. Një e tillë ka ardhur nga Drejtori i Departamentit për Arsim Parauniversitar i Ministrisë së Arsimit, Alush Istogu”, ka thënë Kastrati.

Sipas Kastratit, Istogu, nuk ka shkëmbyer emaile me komunën e Kamenicës përkundër që i janë dërguar disa sosh.

Madje Kastrati thotë se ka Istogu ka keqpërdorur pozitën e tij pasi edhe ka nxitur qytetarët të rezistojnë.

“Zyrtari në fjalë në njërën anë ka shpërfillur totalisht komunikimin zyrtar me komunën (katër emaile të dërguara nga komuna, nuk kanë marrë kurrë përgjigjen e z. Istogu), e në anën tjetër ka keqpërdorur pozitën e tij duke nxitur qytetarët të rezistojnë. Është e papranueshme të dëmtohet seriozisht një proces institucional e i ligjshëm – siç ka ndodhur nga veprimet e z. Istogu, vetëm sepse jemi mësuar të mos përballemi me pasojat e veprimeve tona. Ndaj këtij personi, ne kemi paraqitur Kallëzim Penal pranë Prokurorisë Themelore, Departamenti i Krimeve të Rënda”, thekson ai.

Më tej Kastrati ka thënë se, ‘është e papranueshme që një zyrtar i institucioneve të Kosovës të lëshojë deklarata të pamatura, të cilat kanë për pasojë fatin dhe edukimin e fëmijëve.’

“Aq më pak kur kjo vjen nga një zyrtar që drejton Departamentin për Arsim Parauniversitar”, ka shkruar në fund.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme