Kastrati: Kontrata Kolektive e ka ngulfatur financiarisht Malishevën, mbi 3.5 milionë euro janë marrë nga projektet kapitale

Malishev | 16 Gus 2025 | 08:30 | Nga Gzim Mujaj

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka deklaruar se Kontrata Kolektive ka penguar seriozisht realizimin e projekteve kapitale në komunë, duke shkaktuar humbje mbi 3.5 milionë euro nga buxheti i dedikuar për zhvillim.

Ai në një intervistë për Ekonomia Online tha se këto mjete janë marrë përmes vendimeve të gjykatave dhe përmbaruesve, duke e futur komunën në rrezik kolapsi financiar dhe buxhetor.

Sipas tij, kjo kontratë ka kufizuar mundësinë e komunës për të realizuar projektet e miratuara nga Asambleja Komunale, ndërsa mjetet e humbura kanë ndikuar drejtpërdrejt në ngadalësimin e zhvillimit ekonomik dhe të perspektivës së Malishevës.

“Kontrata Kolektive që komunat i ka hendikepuar shumë, veçanërisht Komunën e Malishevës e ka penguar shumë, jashtëzakonisht tepër shumë në realizimin e projekteve të cilat i ka paraparë me buxhet të secilit vit veç e veç, e sidomos të vitit të fundit ku nuk kemi arritur që t’i realizojmë projektet tona, mirëpo edhe kontratat që i kemi pasur të themeluara. Kjo është një pengesë për zhvillimin e komunave dhe për realizimin e projekteve të parapara, të cilat edhe janë votuar në asamble respektive të komunave. Deri më tash, gjatë tri viteve të fundit, Komuna e Malishevës ka paguar këto detyrime që kanë dalë nga Kontrata Kolektive përmes gjykatave edhe përmbaruesve më shumë se 3 milionë e gjysmë euro. Prandaj, një komunë sikur që është Malisheva, t’i merren gjithë këto para nga projektet kapitale, vërtet është një ngulfatje edhe në zhvillimin e komunës, edhe ngulfatje në perspektivën apo zhvillimin ekonomik të komunave respektive, këtë rast komunës së Malishevës”, tha ai.

Ai shtoi se deri më tani nuk ka pasur asnjë pikë bashkëpunimi me Qeverinë Qendrore për t’i dalë në ndihmë komunës apo për të rimbursuar këto mjete, ndërsa as komunat e tjera nuk kanë përfituar rimbursim.

“Ne deri më tani nuk kemi gjetur asnjë pikë bashkëpunimi me Qeverinë Qendrore që të na dalë në ndihmë apo që të na rimbursojë këto mjete të cilat na i kanë marrë përmbaruesit apo gjykatat përmes vendimeve për t’i paguar anëtarët e sindikatave, përkatësisht detyrimet që dalin nga Kontrata Kolektive. Edhe komunat, në mënyrë selektive, kanë bërë presion në ministritë përkatëse, mirëpo krejt shqetësimin tonë e kemi orientuar në Asociacionin e Komunave, sepse është institucion i cili i mbledh të gjitha shqetësimet që kemi në komunat dhe i prezanton ministrive përkatëse. Mirëpo edhe më tutje asnjë komunë nuk ka pasur një rimbursim të këtyre mjeteve, e që praktikisht del që komunat janë ngufatur, kanë qenë në një kolaps total financiar dhe buxhetor. Kemi pasur momente kur nuk kemi pasur asnjë mjet në gjirollogaritë tona dhe ka qenë rreziku shumë i madh i një kolapsi financiar dhe buxhetor të komunës”, tha ai.

Sipas Kastratit, shumë projekte, si asfaltimi i rrugëve nëpër fshatra, kanalizimet dhe ndriçimi publik, kanë mbetur të bllokuara për shkak të mungesës së mjeteve.

“Shumë projekte, p.sh. asfaltimi i shumë rrugëve nëpër fshatra, kanalizimet të cilat ne veç i kemi pasur të kontraktuara, por i kemi pasur edhe rrugët e kontraktuara për asfaltimin e këtyre fshatrave, ndriçimi publik nëpër fshatra edhe disa segmente në qendër të Malishevës neve na kanë hendikepuar jashtëzakonisht shumë. Unë edhe më tutje kam kontrata të themeluara që nuk i kanë kryer punët dhe nuk i kanë përmbushur detyrimet kontraktuale për shkak të mungesës së mjeteve. Kjo është, mos të them, një skandal, një pakujdesi apo një jo bashkëpunim, jo sinqeritet i Qeverisë Qendrore në raport me komunat”, tha ai.

Të ngjashme